Historiani Muhamed Mufaku, e ka cilësuar fitore diplomatike të Kosovës njohjen nga Izraeli, mirëpo e konsideron problematike vendosjen e ambasadës kosovare në Jerusalem e cila mund të sjellë pasoja.
“Kjo njohje që na erdhi në një kohë shumë delikate ishe një lajm i gëzueshëm, se e gëzoi Kosovën në tërësi sepse kemi qenë në një fazë shumë delikate gati në një ngërç politik”, ka thënë Mufaku në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Me njohje ndërkombëtare, sidomos me zotimet tjera se aty janë dy anë pozitive – negative, me fjalë të tjera kuptohet Serbia o zotu për diçka na u zotum që të mos konkurrojmë më atje ku duhet në organizata, kjo vetëm për një njohje me rëndësi e që është pritur shumë”.
Sidoqoftë Mufaku e konsideron këtë njohje si fitore për diplomacinë kosovare, mirëpo ai e sheh edhe si fitore të kryeministrit aktual izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ajo është shumë e rëndësishme pikërisht për zotin Netanyahu, pikërisht sepse Izraeli po shkon edhe dy javë në zgjedhje, edhe prandaj për herë të katërt brenda dy viteve sepse siç dihet, nuk është sekret, zoti Netanyahu ka akuza dhe ka dy rrugë: ose që t’i fitojë zgjedhjet dhe të mbetet me imunitet, ose drejt në burg”.
“Ai kishte nevojë të madhe për qesi ‘fitore diplomatike’, prandaj ai mund të mburret që e ka sjellë ambasadën e vendit të parë mysliman në Kosovë. Kjo dëgjohet krejt tjetër në Izrael, e ndryshe te na në Kosovë”, shtoi ai duke e cilësuar shumë të rëndësishëm kontekstin rreth vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Mirëpo, Mufaku thotë se vendimi që Kosova ta vendosë ambasadën në Jerusalem mund të sjellë pasoja për çfarë Kosova duhet të përgatitet.
“Të jemi realë. Të bëjmë dallim midis njohjes edhe vendosjes së ambasadës në Izrael janë dy veprime të ndryshme këtu, ne të gjithë e kemi përshëndetë veprimin e parë, atë fitore për Kosovën, njohjen dhe ngritjen e marrëdhënieve diplomatike, kjo është krejt në dobinë e Kosovës”.
“Kurse në anën tjetër kemi një vendim tjetër [vendosja e ambasadës] me pasoja që duhet të përgatitemi qysh tani prej sotit për ato pasoja. Pra janë dy vendime krejtësisht të kundërta”.