Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nga dita e martë gjendet në Turqi për ta binjakëzuar qytetin që drejton me atë të Sariçamit në Turqi. Megjithatë, këtë veprim ai po e bën pa një vendim të Kuvendit Komunal.
Lajmin për këtë binjakëzim e ka bërë të ditur në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku i Adanas, Hüseyin Sözlü, shkruan sot Koha Ditore.
“Kemi nderin ta pranojmë kryetarin e njërit prej qyteteve me të preferuara të Ballkanit, kryetarin e Komunës së Pejës zotëri Gazmend Muhaxheri, me ç’rast do ta nënshkruajmë protokollin e qyteteve vëllezër në mes të Komunës Sariçam dhe Komunës së Pejës”, ka shkruar Sözlü.
Një zyrtar komunal, nën kushte anonimiteti, i ka thënë gazetës se informatat që i posedojnë flasin për një vizitë private.