Mungesa dhe kostoja e rrymës vështirësuan zhvillimin e biznesit

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 12:12 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) është zhvilluar diskutimi për ndryshimet të cilat po ndodhin në sistemin energjetik në mes të bizneseve dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRrE).

Aty u theksua se mungesa e energjisë elektrike dhe kostoja e saj vështirësuan zhvillimin e biznesit në vend, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se kanë pasur takime me shumë biznese dhe problem kryesor ka qenë mungesa e energjisë elektrike.

“E kemi parë të arsyeshme që të avancohet bashkëpunimi publiko privat dhe gjithashtu na gëzon fakti që do të liberalizohet tregu për energji elektrike. Në Kosovë flitet për energji dhe si duket është krijuar një perceptim që faji është te KEK-u dhe Rregullatori, por ai që është përgjegjës për furnizim është KEDSI”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai theksoi se beson që Rregullatori do të jetë një zë i fuqishëm i sektorit privat.

“Vetëm zhvillimi ekonomik dhe i biznesit privat do të jetë garanci e stabilitetit politik, stabilitetit ekonomik dhe social dhe gjithashtu garanci e përmirësimit të imazhit të Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

Ushtruesi i detyrës së kryesuesit të bordit të ZRrE-së, Krenar Bujupi, ka thënë se janë duke punuar qe një kohë të gjatë që t’i eliminojnë dallimet në mes të konsumatorëve shtëpiakë dhe bizneseve.

“Janë bërë shumë investime në sektorin e energjisë. Si hap i parë kur janë rritur shqetësimet në mes të tarifave është bërë një zbritje e tarifave dhe ne kemi marrë si hap konsumatorët shtëpiakë dhe bizneseve”, tha ai.

“Për shkak të reformave që janë bërë në sektorin e energjisë pra sipas ligjit me liberalizim të tregut çdo konsumatorë i biznesit, i cili ka më shumë se 50 punëtorë ai është i obliguar të dalë në treg të hapur. Janë dy furnizues të rinjë me të cilin bizneset mund të lidhin kontrata për furnizim”, ka thënë ai.

“Ne si rregullator kemi vendosur të hapim tregun në mënyrë graduale dhe sipas niveleve të tensionit për një prill të kërij viti janë të detyruar të dalin në treg të hapur ‘SharrCemin’ dhe ‘Trepçën’, ‘Ferronikeli’ veç ka dalë në treg dhe të tjerët janë të detyruar të dalin në treg nga një prilli i vitit të ardhshëm”.

“Tarifat e rregullatorit mund të shihen vetëm si një mundësi e fundit vetëm atëherë kur bizneset nuk mund të arrijnë të realizojnë konsultimet apo të gjejnë çmime të përshtatshme. Edhe pse gjatë këtij viti nuk kemi mundur të bëjmë ndryshime rrënjësore për tarifat e energjisë elektrike, për bizneseve ne do të jemi këtu për këshillim dhe legjislacionin sekondar është duke u përgatitur. Ndryshimi strukturor ka të bëjë me eliminimin e tarifave sezonale dhe me këtë propozim nga këto tarifa do të lirohen edhe konsumatorët komercialë”, ka thënë Bujupi.

Ai ka theksuar se të gjithë konsumatorët janë të lirë të fillojnë negociata me të gjithë furnizuesit.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, theksoi se barriera ose kufizimi që vjen me koston e energjisë është një ndër top barrierat tek biznesi në vend.

“Në pyetjen se a është problem sistemi tarifor dhe 65 për qind të bizneseve e shohin si pengesë të funksionimit të tyre. Mbi 70 për qind e bizneseve kanë paguar shtesë për kyçje në rrjet”, ka thënë ai.

Ndërsa, Imer Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRrE, tha se në të gjitha këto ndryshime që janë bërë në legjislacion prej një prillit të gjithë konsumatorët kanë mundësi të dalin në treg dhe të negociojnë çmimin për furnizim me energji elektrike.

Gjithashtu ai tha se Rregullatori është i obliguar që për konsumatorët që kanë qarkullim prej më pak se 10 milionë euro të negociojnë apo propozojnë çmime për kostot e energjisë.

Të ngjashme