Mungesa e gazit rus mund të shkaktojë “katastrofë” në Evropë

Prishtinë | 13 Shk 2022 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Frika e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, rrit shqetësimet për zvogëlim të gazit rus në Evropë.

Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës me gazin natyror si lëndë, ku një e treta e gazit, që arrin në kontinent, kalon përmes Ukrainës.

Me rastin e frikës së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, janë rritur edhe shqetësimet për zvogëlimin ose ndërprerjen e gazit rus në Evropë.

Shtetet e Bashkuara, por edhe vende të tjera perëndimore, e kanë kërcënuar Rusinë me sanksione shkatërruese, nëse sulmon Ukrainën, raporton REL.

Politikëbërësit rusë kanë paralajmëruar se nëse vendi i tyre shkëputet nga sistemi ndërkombëtar i bankave, ashtu siç është paralajmëruar, atëherë gazi rus nuk do të rrjedhë.

“Nëse Rusia shkëputet nga SWIFT, atëherë ne nuk do të kemi para në qarkullim. Dhe blerësit tanë, e para së gjithash vendet evropiane, nuk do t’i marrin mallrat tona: naftën, gazin, metalet dhe përbërësit e tjerë të rëndësishëm të importeve të tyre”, ka thënë nënkryetari i Këshillit të Federatës ruse, Nikolay Zhuravlev, për agjencinë e lajmeve Tass.

Këto paralajmërime kanë bërë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të kërkojnë furnizime alternative.

Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar në fund të muajit të kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë se “SHBA-ja dhe BE-ja janë duke punuar së bashku për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të mjaftueshëm të BE-së me gaz natyror, nga burime të ndryshme anembanë globit”.

Von der Leyen ka diskutuar për blerje të gazit edhe me emirin e Katarit. Komisionarja e BE-së për Energjinë, Kadri Simson, është fokusuar në bisedime me Azerbajxhanin, ndërsa më 7 shkurt është mbledhur edhe Këshilli i Energjisë SHBA-BE, për të diskutuar alternativat.

Disa analistë thonë se me gjithë përpjekjet, gazi rus do të jetë vështirë i zëvendësueshëm, së paku edhe për 10-15 vjet. Nikos Tsafos, ekspert për sigurinë energjetike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, flet për REL.

“Gazi rus është kritik për Evropën. Ai mbulon rreth 40 deri në 45 për qind të importeve të Evropës. Për disa vende është më i rëndësishëm se për të tjerat. Realiteti është se, tani për tani dhe për të ardhmen e afërt, Evropa nuk mund të funksionojë pa gazin rus”.

Cila mund të jetë alternativa?

Sipas Tsafos, ndërprerjet e vogla të furnizimeve ruse do ta rëndonin, por nuk do ta prishnin sistemin. Ndërprerja e plotë, sipas tij, do të ishte diçka tjetër.

“Nëse ndërpritet vetëm gazi që kalon përmes Ukrainës, kjo do të ishte një gjë e dhimbshme, por e menaxhueshme. Nëse flasim për reduktim në zero të gazit rus në Evropë, atëherë do të ishte katastrofë. Do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për Evropën që të përshtatet për një kohë të shkurtër me një humbje kaq të madhe”, është shprehur ai.

Jashtë Ukrainës, Rusia shfrytëzon disa tubacione direkte për ta dërguar gazin në Evropë, në mesin e tyre: tubacioni Rrjedha e Veriut që e çon gazin direkt në Gjermani.

Duke folur për Exposenë, Thierry Bros, specialist i tregut evropian të gazit në Universitetin Sciences Po në Paris, thotë se nuk beson se Rusia do ta ndërpresë plotësisht gazin në Evropë.

Të ngjashme