Disa seanca të Kuvendit të Kosovës javëve të fundit kanë dështuar në mungesë të kuorumit. Ndonëse Kuvendi ka filluar punën për vitin 2019, ende ka pika të papërfunduara nga seancat e vitit 2018, të cilat nuk kanë arritur të marrin epilog në legjislativ, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Monitorues të punës së Kuvendit problem kryesor e shohin mungesën e deputetëve dhe caktimin e seancave të reja pa përfunduar ato të mëparshmet. Ndërsa partitë e koalicionit qeverisës akuzojnë opozitën për mospjesëmarrje, opozita konsideron se Qeveria duhet ta ketë fuqinë e saj të miratojë ligje pa opozitën.
Hadërgjonaj i quan të papërgjegjshëm deputetët që mungojnë në seanca
Deputetja e koalicionit qeverisës, Safete Hadërgjonaj, e ka quajtur papërgjegjësi mungesën e deputetëve në seanca të Kuvendit, pavarësisht nëse janë pozitë ose opozitë. Ajo thotë se e paarsyeshme është edhe të jesh në seancë dhe të mos votosh as pro e as kundër.
“Sa u përket seancave të kaluara janë disa seanca, të cilat kanë dështuar shkaku i deputetëve që nuk po janë shumë të përgjegjshëm për të qëndruar në sallë. Është e palogjikshme të jesh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe të mos e votosh ligjin, i cili është në interes të qytetarëve të Kosovës. Është shumë e paarsyeshme që të qëndrojnë në sallë dhe të mos votojnë as pro e as kundër, por as të mos abstenojnë”, theksoi ajo.