Kostoja e energjisë elektrike, konkurrenca jo e drejtë, mungesa e stabilitetit politik janë pengesat më të mëdha në të bërit biznes në vend. Këto të dhëna kanë dalë nga hulumtimi i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) “Si ta fuqizojmë sektorin privat në Kosovë” që ka për qëllim identifikimin e barrierave në të bërit biznes në vend, raporton Ekonomia Online.
Berat Rukiqi, këshilltar strategjik në OEK gjatë prezantimit të hulumtimit tha se për shkak të mungesës së energjisë elektrike bizneset në Kosovë kanë paguar 290 milionë euro shtesë për ta siguruar rrymën me anë te gjeneratorëve.
Duke prezantuar studimin, Berat Rukiqi, këshilltar strategjik i Odës tha se problem më i madh me të cilin ballafaqohen bizneset kosovare janë kostoja e energjisë elektrike 51.1 %, konkurrenca jo lojale dhe ekonomia e hirtë 42.6 %, jo stabiliteti politik 35.1 %, kërkesa e pamjaftueshme 34.1 %, korrupsioni 33.5 %, raportimi i pazhvilluar financiar 32.9 %, kualiteti i produkteve dhe shërbimeve jo konkurruese 31.8 %, sistemi i taksave, 31.1 %, profitibaliteti shumë i ulët 29.8 % dhe konsumatorët nuk paguajnë me kohë 29.5 %.
Kur behët fjalë për mjedisin ekonomik tri janë probleme kryesore: konkurrenca jo lojale dhe ekonomia e hirtë 42.6%, normat e larta të interesit 41.7% dhe kërkesa e pamjaftueshme 34.1 %. Sa u përket pengesave për kushtet administrative dhe rregullatorë si pengesa përmenden sistemi i taksave 31.1%, vështirësitë e regjistrimit të biznesit 27% dhe mungesa e ligjeve adekuate.
Sektori i shitjes me pakicë ka raportuar të ketë pengesa më të mëdha nga të gjitha kategoritë e analizuara në këtë raport, i ndjekur nga sektori i prodhimit dhe ai i shërbimeve. Sipas tij, Prishtina Peja dhe Ferizaj janë komunat që përballen me më së shumti barriera në të bërit biznes.
Gërxhaliu: Dialogu publiko privat në Kosovë, model për për rajonin
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se rezultate e të gjeturave të hulumtimit janë më së reale.
“Për këtë duhet bashkërisht ta orientojmë agjendën tonë ekonomike drejtë ardhmërisë dhe ti marrim seriozisht të gjeturat e këtij raporti pasi që i tregon qartë barrierat e të bërit biznes dhe definitivisht në këtë hulumtim ka edhe vërejtje e kritika. Ne konsiderojmë se dy vitet e mëparshme janë vite të fuqizimit të dialogut publiko privat, posaçërisht me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, tha kreu i OEK-ut, Gërxhaliu.
“Ky është një hulumtim i cili ka bazë, ka transparencë, ka komunikim, dialog dhe rezultatet e gjetura janë jo vetëm reale, por më se reale, nga të cilat rezultatet duhet bashkërisht të orientojmë agjendën tonë ekonomike drejt ardhmërisë. Është një hulumtim, i cili identifikon barrierat e të bërit biznes në Kosovë dhe definitivisht në këtë hulumtim, që ndoshta dikujt nuk do t’i shkojë për shtati se ka trende pozitive, por nga ky takim besoj që është koha kur duhet të kuptojmë që kritika është në të mësuar dhe jo armiqësi, dialogu komunikimi dhe partneriteti nuk kanë alternativë dhe në qoftë se viti 2015 dhe 2016 do të mbahet mend për diçka, është një dialog publiko privat që mund të jetë model, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë”, ka theksuar Gërxhaliu.
Hoti paralajmëron ndërtimin e termocentralit nga buxheti i shtetit
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se me shumë vëmendje e ka analizuar studimin dhe se rezultatet e tij për të ishin të pritshme.
Ai ka paralajmëruar ndërtimin e termocentralit me mjete të buxhetit, në rast se deri në fund të vitit nuk ka lëvizje në projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
“Ka disa vite që ne e mbajmë gjallë debatin për të ndërtuar një termocentral të ri. Unë shpresoj shumë që jemi në fazat finale, dhe shpresoj që do të përfundohen nga mesi, apo fundi i këtij viti të gjitha çështjet procedurale për të filluar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike përmes një procedure që është nisur tash e sa vite të një partneriteti publiko privat me mbështetje të Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë. Por, unë dëshiroj që ta them hapur, ne do të presime dhe sivjet që të kemi lëvizje në këtë drejtim përmes MZhE-së, nëse jo, atëherë ne nga fillimi i vitit të ardhshëm në planifikimet tona buxhetore do të shohim që përfundimisht të nisim ndërtimin e një termocentrali të ri përmes buxhetit, sepse nuk kemi alternativa të tjera”, ka thënë Hoti.
“Ky raport e vendos një pikë referuese për debatin, janë fakte, janë vlerësime, të cilat në masë të madhe konfirmojnë ato sektor dhe politika ku ka pas më shumë probleme. Edhe rekomandimet ne detaje në fund të raportit janë të mire se ardhura”, tha ministri Hoti.
Por, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk janë deklaruar lidhur çështjen e ndërtimit të termocentralit nga buxheti i shtetit.
Bajrami: U bë vonë në zgjidhjen e problemit të energjisë
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në detaje foli lidhur me masat e ndërmarra në zgjidhjen e çështjeve të cilat në raport përmenden si problem me të cilat ballafaqohen bizneset. Ajo tha se ky publikim është një instrument, i cili do t’i shërbejë Qeverisë së Kosovës që edhe më tutje të rishikojë politikat, sidomos në fushën ekonomike.
Ajo ka shtuar se kanë qenë transparent dhe se nuk kanë bërë asnjë projekt dhe asnjë akt legjislativ pa u konsultuar me komunitetin e biznesit.
“Shumica e masave dhe aktiviteteve të cilat ne i kemi në programin qeveritar kanë qenë kërkesa të juaja të cilat ne jemi munduar që t’i adresojmë. Tek barriera kostoja e energjisë elektrike ku mbi 50 për qind të ndërmarrjeve e kanë shprehur si top barrierën kryesore, ne e dimë këtë, ne kemi punuar në këtë drejtim edhe në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, kemi mbajtur mbledhje dhe takime të veçanta dhe ne veç e kemi adresuar çështjen te Kuvendi i Kosovës, të cilit duhet t’i raportojë ZRRE-ja. Ju e dini që MZhE-ja është në përmbylljen e kontratës, ne e dimë që për energji elektrike është bërë vonë, por po punojmë në atë drejtim”, ka theksuar Bajrami.
Berisha: Dogana ka ndërmarr reforma në favor të biznesit
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se edhe pse është bërë shumë në lehtësimin e procedurave në Doganë, prapë se prapë duhet të bëhet më shumë në synimin për një ekonomi të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik.
“Dogana e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve ka ndërmarr reforma të jashtëzakonshme të cilat gjithherë kanë qenë në rrugën pro biznesit, lehtësimin e tregtisë përtej kufijve por edhe në thjeshtësimin e procedurave doganore dhe eliminimin e barrierave. Marrë parasysh të gjithave prapë po vërejmë nga raporti po vërejmë se bizneset në disa regjione kanë paraqit si pengesë dhe më shqetësuese procedurat dhe burokracinë doganore”, tha ai.
“Shpresoj që ky raport do të na shërbej neve për organizimin e takimeve në disa regjione sepse vërehet se në disa regjione ka shqetësime më të mëdha. Dogana do të vazhdojë me lehtësira, dhe shumicën e procedurave i kemi të digjitalizuara që i mundësojnë biznesit në çdo cep të Kosovës në çdo kohë dhe në kohë reale të marrë shërbimet e doganës, por këto prapë nuk janë të mjaftueshme për të arritur qëllimin dhe synimin tonë për një ekonomi të qëndrueshme dhe synimit për zhvillim ekonomik”, ka thënë Berisha.
Imeri: Po e luftojmë ekonominë joformale
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri ka theksuar se tri pengesat e renditura nga bizneset janë shumë shqetësuese edhe për ATK-në.
“Pengesa e dytë për nga renditja është konkurrenca jolegale, këtu kemi një nivel i cili është prezantuar edhe nga raportet e mëhershme, raporte shqetësuese për prezencën e ekonomisë së hirtë në Kosovë, por aktivitetet janë jashtëzakonisht të mëdha që kjo si pengesë të rangohet më e ulët me qëllim që kjo vazhdimisht të luftohet si dukuri”.
Rekomandimet e dhëna për Kuvendin e Qeverinë
Në fund të raportit janë dhënë edhe rekomandimet për Kuvendin dhe Qeverinë.
Për Kuvendin: Intensifikim të angazhimit të Rregullatorin e Energjisë për ndryshim të sistemit të tarifave; Rritje të angazhimit për hartim dhe miratim të ligjeve që nxisin rritjen e sektorit privat.
Për Qeverinë: Investimet në kapacitetet e reja energjetike për të siguruar energji stabile dhe me kosto të përballueshme për bizneset; Rritje të përkrahjes financiare për projekte të efiçiencës dhe energjisë alternative në kompanitë e sektorit privat;
Reformë në procedurat tatimore dhe inspektimet e ndryshme; Rikthimi funksional i Bordi për Ankesa dhe Parashtresa; Fuqizim të mekanizmave qe garantojnë sigurinë juridike të bizneseve dhe luftimin e ekonomisë jo-formale.