Mungesë transparence e Qeverisë rreth dialogut

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e transparencës e ka shoqëruar valën e re të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Deri tash, janë bërë të ditura vetëm temat e negociuara në takimet në Bruksel. Por, kanë munguar informatat për përmbajtjen e diskutimeve, sikur ka munguar edhe publikimi i platformës mbi bazën e së cilës Prishtina do të paraqitet në këtë proces.

Edhe pse koordinatori i Kosovës për dialog, Skënder Hyseni, kishte udhëtuar javën e shkuar në Bruksel për ta draftuar marrëveshjen finale me Serbinë, pas kthimit nuk ka folur rreth draftit.

Hyseni nuk i është përgjigjur as kërkesës së KTV-së për informata rreth kësaj.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive në platformën CiviKos, e kualifikon Qeverinë Hoti si më jotransparenten në raport me dialogun.

“Ky nivel i mungesës së transparencës për një çështje kaq sensitive politike, çon mesazhe shumë të këqija për Kosovën. Këtë, ne si shoqëri civile, e kemi kundërshtuar në 10 vjetët e kaluar, dhe të njëjtin gabim po e përsërisim prapë me rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ne po flasim për një platformë, të cilën e lansoi z. Hoti – nuk dimë se çka ka, nuk e kemi parë dokumentin, nuk i dimë principet bazë mbi të cilat kjo qeveri do të negociojë me Serbinë”, ka thënë ajo.

Pas kthimit nga Brukseli, Skënder Hyseni ka zhvilluar takime informuese me presidentin dhe kryeministrin. Për to, është njoftuar veç nëpërmjet komunikatave për shtyp, por në të cilat më së paku është folur për përmbajtjen e takimeve.

Komunikata e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit ka gjithsej dy fjali, ndërsa ajo nga Presidenca kryesisht flet për mbështetjen që Thaçi i ofroi Hysenit.

“Presidenti Thaçi e ka uruar edhe një herë për emërimin e tij në këtë detyrë, duke shprehur besimin se me përvojën dhe angazhimin e tij z. Hyseni do ta koordinojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme. Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut”, shkruhet në komunikatën e Presidencës.

Donika Emini konsideron se mungesa e transparencës nuk i kontribuon as disponueshmërisë brenda elitës politike në Kosovë, në raport me dialogun.

“Dihet shumë mirë që pikërisht kjo çarje në mes të partive politike, mosmarrëveshjet e brendshme e kanë dobësuar pozicionin e Kosovës, sidomos në dy vjetët e fundit. E dyta, nëse takohet z. Hyseni me presidentin dhe kryeministrin, ai duhet të takohet edhe me kryeparlamentaren, dhe kjo automatikisht po e përjashton një institucion në Kosovë që ka rëndësi jetike. Dihet shumë mirë që vetë Hoti kur e ka lansuar platformën, e ka vendosur rolin e Parlamentit si rolin kyç që do ta ketë në dialog, sidomos për një komision parlamentar që ai kishte përmendur se do të krijohet”, ka thënë ajo.

Vala e re e dialogut Kosovë-Serbi nisi në fillim të korrikut, me samitin virtual të Parisit, të pasuar me takimin fizik Hoti-Vuçiq në Bruksel. Hoti është kritikuar për temat që ka pranuar të diskutohen, e të cilat janë konsideruar të karakterit teknik. Edhe vetë partitë në koalicion kanë këmbëngulur se negociatat duhet të jenë ekskluzivisht për njohje reciproke.

Të ngjashme