Ministria e Arsimit nuk ka shpërndarë të gjitha tekstet për klasat e para. Edhe për klasat tjera nëpër shkolla është evidentuar mungesa e artikujve mësimorë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Klasat e para kanë nisur mësimin me mungesë tekstesh. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës nuk ka shpërndarë të gjitha tekstet mësimore në shkollat fillore, ashtu siç edhe ishte paraparë në vendimin e këtij dikasteri qeveritar, shkruan “Zëri”.
Mungesa e teksteve është paraqitur edhe në klasat tjera. Shumica e komunave të vendit kanë deklaruar për mosfurnizimin e plotë me tekste mësimore.
Në mesin e librave që prindërit janë detyruar t’i blejnë, sidomos në komunën e Prishtinës, janë: Teksti shkollor “Dituri natyre” (fletore pune 1), me autor Anthony Russell, pastaj “Dituri natyre”, Anthony Russell 1, si dhe teksti tjetër po ashtu për klasën e parë “Edukim për Shoqërinë”, shkruan tutje “Zëri”.
Skënder Avdiu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, ka thënë se kanë marrë raportime nga shkollat për mungesë të 2340 librave (niveli I –klasa 1-5).
“Në klasën e parë kemi mungesë të nëntë tituj librash, gjithsej 450 libra”, ka thënë ai për “Zërin”.
Avdiu ka thënë se të mërkurën janë furnizuar nga MASHT-i me libra për klasën e dytë, të katërt dhe klasën e pestë.