Ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e dëshmitarit Milazim Maraj, i cili ishte paraparë të dëshmonte të mërkurën.
Kryetarja e trupit gjykues, Lumturie Muhaxheri, ka deklaruar se dëshmitari Maraj, më 23 maj 2018, ka njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes në seancë gjyqësore, për shkak të angazhimeve të punëtorisë në MASHT, në Prishtinë, por duke mos prezantuar asnjë provë për mos prezencën e tij.
Për shkak të mungesës të dëshmitarit, kjo seancë është shtyrë për 4 Qershor, me fillim nga ora 10:00.
Në seancën e mbajtur më 31 janar 2018, i akuzuari Qazim Maloku kishte dhënë mbrojtjen e tij, ku kishte deklaruar se koordinatorin e cilësisë, Xhevat Boxhdaraj, e kishte futur në listën e pagave për mësimdhënës, pasi sipas tij, Ministria e Administratës Publike (MAP), nuk lejonte listë të veçantë për paga dhe se për këtë punë ka marrë vetëm një pagë, shkruan betimiperdrejtesi.com.
Dëshmitari Xhevat Bozhdaraj, në deklaratën e tij, kishte thënë se është e vërtetë se ka nënshkruar kontratë të punës si mësimdhënës në lëndët histori-gjeografi, por se ka punuar në Qendrën për Ngritje dhe Aftësim Profesional, në Deçan, në pozitën e koordinatorit.
Ndërsa, eksperti financiar Hysni Selmanaj, kishte deklaruar se nga ekspertiza që ka bërë, nuk ka dëmtim të buxhetit të Komunës së Deçanit, ngase komuna nuk i jep pagat për mësimdhënës, por MASHT-i.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Qazim Maloku, më 3 nëntor 2011, si person zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që tjetri të përfitojë.
Këtë, sipas aktakuzës, e ka bërë duke lëshuar rekomandim në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me të cilin personin e quajtur Xhevat Bozhdaraj e cakton në punën Koordinator Komunal për Qendrën Zhvillimore Profesionale në Shkollën e Mesme të Ulët “Lidhja e Prizrenit”, pa përgatitje adekuate shkollore.
Sipas aktakuzës, më pas me të njëjtin lidhë kontratë pune për lëndën histori-gjeografi, nga e cila i njëjti merr pagat mujore pa e kryer asnjëherë këtë punë, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Deçanit në shumën prej 12.389.00 euro.