Ajo çka e karakterizon punën e kësaj legjislature është shumë zhurmë, e pak punë, ka thënë Artan Murati, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit. Sipas tij, deputetët në të shumtën e rasteve u janë përgjigjur agjendave politike të subjekteve që u takojnë, e jo halleve të qytetarëve prej të cilëve kanë fituar mandatin si deputet.
Hulumtuesi i lartë në KDI vlerëson se Kuvendi i “çrregullt” është duke u shpërfillur edhe nga Ekzekutivi, dhe ka tendencë për ndërhyrje në kompetencat e organit ligjvënës.
Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Murati si një nga çështjet më të “nxehta” e ka përmendur përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencive të cilat i raportojnë Kuvendit, ku thotë se shpërfaqet rivaliteti politik ndërmjet subjekteve politike.
Anomalitë e Kuvendit
KD: Cilat konsideroni se janë anomalitë më të mëdha në funksionimin e Kuvendit?
Murati: Kuvendi i Republikës së Kosovës assesi nuk po mund të këndellet për të kryer siç duhet punën e vet. Është krijuar një perceptim i përgjithshëm, e edhe i saktë, se legjislatura e pestë e Kuvendit ka qenë ndër legjislaturat më të dobëta dhe me efikasitetin më të ulët të punës që nga paslufta, mirëpo edhe legjislatura e gjashtë që nga fillimi i saj nuk është se ka kryer punë të mëdha.