Murati thotë se vitin e kaluar diaspora dërgoi 752.4 mln në Kosovë

Prishtinë | 08 Jan 2017 | 10:59 | Nga

Ministri i Diasporës Valon Murati, vlerëson se viti që lemë pas ka qenë i mbushur me shumë aktivitete të cilat kanë pasur çdoherë në fokus diasporën qoftë në fushën arsimore, kulturore, sportive, apo ekonomike. Megjithatë, ai thotë se mbetet punë për t’u bërë sidomos në arsimin shqip.

“Unë konsideroj se ne kemi punuar me përkushtim në funksion të fuqizimit të urave të bashkëpunimit me bashkatdhetarët, por se mbetet ende për t’u bërë në mënyrë që ne të realizojmë një sërë objektivash strategjikë që kemi, e mbi të gjitha ato që lidhen me arsimin shqip, me fuqizimin e të drejtave politike të saj kudo që bashkatdhetarët jetojnë, por edhe me përfshirjen e tyre në jetën socio-ekonomike, politike dhe arsimore të vendit”, deklaron Murati në një intervistë për lajmi.net

Një ndër sukseset e vitit 2016, Murati thotë se janë aktivitetet që kanë rikthyer diasporën në jetën tonë publike si një forcë dhe resurs njerëzor i patejkalueshëm në funksion të zhvillimit të vendit.

“Regjistri i diasporës, puna rreth mësimit shqip në diasporë duke koordinuar punën edhe me shtetin shqiptar, organizimi i Ditëve të Kulturës Shqiptare, organizimi ekonomike me bizneset e diasporës dhe ato të Kosovës, trajtimi i problemeve të shumë prej bizneseve të diasporës, insistimi për funksionalitetin e gjykatave kur janë në pyetje investitorët nga diaspora”, thekson ministri.

Në suksese, ai rendit edhe punën me të rinjtë dhe profesionistët nga diaspora si dhe ofrimi i mundësive që ata të kryejnë praktikën në institucionet e shtetit të Kosovës por edhe të atij të Shqipërisë e gjithashtu edhe bashkorganizimi me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë i Samitit të Diasporës.

Murati përmend edhe sfidat dhe ngecjet që e kanë përcjellë dikasterin e tij sivjet. Ai thotë se ministria që drejton, ka buxhet të vogël në raport me nevojat.

“Motoja e regjistrimit të diasporës dhe të gjitha aktiviteteve që ne organizojmë ‘Ti je pjesë e atdheut’ tani më ka hyrë në diskursin tonë të përditshëm si diçka e natyrshme. Por kjo duhet të përcillet me politika edhe me aktive në raport me diasporën, në mënyrë që aktivitetet e shumta që kemi realizuar të përkthehen edhe në realizimine objektivave strategjikë”, deklaron Murati.

Në këtë kontekst shton se kjo vlen për fuqizimin e arsimit shqip në diasporë por edhe ndihmën që duhet të jap Kosova në organizmin e diasporës përmes projekteve të rrjetëzimit në të gjitha fushat.

Murati thotë se në raport me diasporën ka pasur edhe një ngecje, por që sipas tij, nuk varet nga Ministria e Diasporës.

“Ajo që ne do të donim dhe jemi përpjekur të realizohet këtë vit por që nuk është arritur të implementohet është krijimi i mundësisë së pagesës online të sigurimeve kufitare nga bashkatdhetarët. Edhe pse kjo nuk është në kompetencën tonë, mosrealizimi i këtij projekti na brengosë jashtëzakonisht shumë. Prandaj, ne do ta forcojmë edhe më tepër insistimin tonë tek institucionet tjera relevante që vitin e ardhshëm kjo të jetë çështje e kryer”, thotë ministri.

Duke qenë një nga zyrtarët e shtetit që më së shumti është në kontakt me bashkatdhetarët, Murati konsideron se diaspora shqiptare ka qenë përkrahëse e madhe e të gjitha proceseve politike. Ai përmend kontributin e tyre në luftën çlirimtare dhe përkrahjen që vazhdon edhe sot, por sipas tij, një pjesë e tyre kanë edhe kritika.

“Nuk ka dyshim që ata edhe kanë ndërtuar pritje shumë më të mëdha për funksionimin e shtetit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë drejtim një pjesë e tyre janë kritik, por unë do të thosha është një kritikë e shëndoshë, e tillë që na bën ne të mobilizohemi më shumë për të arritur ato standarde të funksionimit të shtetit çfarë të gjithë i kemi ëndërruar dhe të cilat gjithashtu i synojmë bashkërisht”, pohon Murati, duke shtuar se kjo nuk ka ndikuar tek ata në zbehjen e gatishmërisë që të kontribuojnë për atdheun tonë të përbashkët edhe në të ardhmen.

Diaspora e mbush buxhetin e Kosovës

Duke u bazuar në raportin vjetor të Bankës Qendrore, Murati thotë se gjatë vitit 2015 bashkëatdhetarët kanë çuar në Kosovë 752.4 milionë euro.

“Kjo realisht nënkupton se remitancat përbëjnë afër 13% Bruto Prodhimit Vendor (i cili sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2015 ishte 5 miliardë e 800 milion euro) Edhe për këtë vit remitancat me ndonjë luhatje të vogël besoj se do ta mbajnë këtë trend të lartë”, beson ai.

Murati tregon se sipas BQK-së, më së shumti vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 37 % përkatësisht 22 % të gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

“Duhet theksuar se një pjesë e konsiderueshme e remitencave në vitin 2015 kanë ardhur edhe nga SHBA-të, gjegjësisht 8 % e gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë. Unë vlerësoj të drejt analizën e UNDP-së në vitin 2014 për remitancat, në të cilën theksohet se fakti se diaspora nga Kosova është kryesisht e përqendruar në Zvicër dhe Gjermani, vende të cilat e kanë kaluar më lehtë krizën ekonomike, ka bërë që edhe trendi i remitancave në Kosovë të mos ketë rënie. Sipas statistikave nga këto dy vende vitin e kaluar kishim 57% të të gjithë remitancave të pranuara në Kosovë”, deklaron ai.

Pritjet në kufi

Ministri shprehet i shqetësuar për pritjet e gjata të bashkëatdhetarëve në kufi me Serbinë. Ai thotë se këtë çështje po mundohen ta zgjidhin së bashku me institucionet tjera relevante. Sipas tij, ndërtimi i objekteve kufitare në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufijve me Serbinë do t’i shërbente lehtësimit të procedurave.

“Kosova me ndihmën e BE-së do të jetë përgjegjëse për ndërtimin e objekteve në Merdare, Mutivodë dhe në Bërnjak. Me ndërtimin e këtyre objekteve të cilat do të krijojnë infrastrukturë shumë më të gjerë hyrëse dhe dalëse, sidomos në Merdar por edhe në Mutivodë do të krijoheshin kushtet për të proceduar shumë më shpejt për shkak të kapaciteteve më të mëdha. Ndërtimi i objektit në Merdar po shpresoj të fillojë së ndërtuari në fillimi të vitit të ardhshëm”, thotë Murati.

Si çështje të dytë, Murati vlerëson se pala kosovare duhet të jetë vazhdimisht e vëmendshme ndaj palës serbe për të mos lejuar që ajo të punojë me neglizhencë, ashtu siç ishte rasti kësaj radhe.

“U desh të ndërhyhej nga ana e institucioneve tona deri në Bruksel për të mobilizuar palën serbe në kushtet e një vërshimi të mërgimtarëve tanë, të cilët pritnin në Merdar deri në 8 orë”, shprehet ai.

Murati sugjeron edhe bashkëatdhetarët që gjatë rrugës për në Kosovë, të kontrollojnë të dhënat e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin dhe të shikojnë se cilat pika kufitare janë të ngarkuara për të përdorur pastaj pikat kufitare alternative.

“Gjithashtu një çështje që mbetet për t’u zgjidhur është edhe çështja e tarifave të sigurimit kufitar, për të cilat ne po insistojmë që BSK të krijojë kushte të paguhen edhe online, derisa të gjithë bashkërisht të gjejmë rrugën për ta zgjidhur tërësisht këtë çështje e cila rëndon mbi bashkatdhetarët si një padrejtësi që buron nga padrejtësia që i shkaktohet vetë Kosovës”, deklaroi ai.

Murati për vitin e ardhshëm planifikon që prioritet të jetë institucionalizimi i mësimit shqip në diasporë.

“E kjo nuk mund të bëhet pa komponentën financiare e cila duhet t’i shtohet marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë fushë. Ne do të punojmë që vitin e ardhshëm të kemi një marrëveshje në mes të dy kryeministrave e cila pastaj do të ratifikohej në kuvendet e të dy shteteve dhe kështu do të krijonim bazën ligjore edhe për financimin e mësimit shqip”, pohon Murati.

Megjithatë, ai shton se mbetet të punohet ngushtë me të gjitha institucionet e vendit dhe me rrjetet e biznesit të diasporës shqiptare që të krijohen kushte sa më të mira për të thithur investime nga diaspora e së bashku me to, të kemi edhe transfer të dijes dhe teknologjive nga diaspora në Kosovë.

“Prioritet tjetër mbetet rrjetëzimi i diasporës, i profesionistëve shqiptarë, të cilët janë në resurs i jashtëzakonshëm zhvillimor për vendin, por edhe i shoqatave të cilat veprojnë jashtë dhe të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë”, tregon ministri.

Ndërkaq një nga prioritetet që Murati do të luftojë për realizimin e tij, është përfaqësimi i diasporës në Kuvendin e Kosovës, “sado e vështirë të jetë kjo në planin afatshkurtër, për shkak të vështirësive të ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës”.

Krejt në fund, Murati përmend edhe një projekt për transformimin e një pjese të remitencave në zhvillim ekonomik, fillimisht në fushën e bujqësisë dhe teknologjisë informative, në të cilin veç kemi filluar të punojmë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme