Definimi i kufirit administrativ në mes të dy komunave të Mitrovicës ka mbetur në plan të dytë, për shkak të murit të ndërtuar befasisht nga serbët në pjesën veriore të urës, ndonëse afati për nënshkrimin e memorandumit në mes të kryetarëve të Mitrovicës, Agim Bahtirit e Goran Rakiqit, ka qenë 14 tetori i vitit 2016.
Ndërprerja e punimeve në revitalizimin e urës, si dhe të atyre për revitalizimin e rrugës “Mbreti Petar” në veri urës, që shtrihet deri tek ura kryesore për shkak të murit, kanë bërë që ura, e cila do të duhej të hapej më 20 janar, të vazhdojë të mbetet e mbyllur.
Nuk dihet ndërkaq se kur dhe se a do të rifillojnë fare punët pasi që kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka këmbëngulur që muri të jetë pjesë e projektit të urës dhe zonës së këmbësorëve, ndërkohë që institucionet më të larta të shtetit janë zotuar se murin do ta rrënojnë më 1 shkurt dhe pastaj të vazhdojnë punët në revitalizimin e saj.
Tani kur kanë mbetur edhe tri ditë nga dita kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do ta rrënojë murin e ndërtuar, shqiptarët besojnë se një gjë e tillë do të ndodhë, ndërsa serbët e pjesës veriore vazhdojnë të besojnë se muri nuk do të rrënohet.
E ndërkaq sa i përket nënshkrimit të memorandumin për definimin e kufirit, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë kurrfarë memorandumi për definimin e kufirit pa u zgjidhur çështja e murit, si dhe pa u qartësuar situata rreth Suhadollit, e cila me Pakon e Ahtisaarit i takon Komunës Jugore, ndërsa sipas Rakiqit, i cili bazohet në zgjedhjet e vitit 2013 për pushtetin lokal, Suhadolli i takon Mitrovicës së Veriut pasi që ata në zgjedhje kanë votuar në atë pjesë dhe kanë përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Veriut.
Ai pos Suhadollit synon që t’ia bashkëngjitë veriut edhe disa fshatra shqiptare, si dhe gjithë rrjedhën e lumit Ibër.