Dy përforcimet, portieri Arjanet Muriq dhe qendërmbrojtësi Mirlind Kryeziu, pritet të jenë në listën e seleksionuesit të Kosovës, Bernard Challandes për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve këtë muaj, shkruan sot Koha Ditore.
Listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet kundër Maltës dhe Azerbajxhanit, Challandes pritet ta publikojë të premten (sot). Por Muriq dhe Kryeziu ende nuk kanë marrë leje nga FIFA për të luajtur me Kosovën. Ata kanë luajtur më herët për përfaqësuese të tjera, përkatësisht Malin e Zi e Zvicrën dhe u duhet leje për të ndërruar atë.
Një tjetër lojtar që ka luajtur me herët për Zvicrën, sulmuesi Shkëlqim Demhasaj, nuk do të ftohet për këto ndeshje. Në të llogaritet për të ardhmen. Edhe Demhasaj është në pritje të lejes së FIFA për ndërrim të përfaqësueses.
Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala ka konfirmuar se lista do të publikohet të premten.
“Lejet ende nuk kanë ardhur nga FIFA, por ka ende kohë dhe besojmë se do të vijnë para ndeshjeve. Ftesat për lojtarët janë dërguar tashmë”, ka thënë Shala.