Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj, ka udhëtuar sot për në Vjenë, ku nesër do të mbajë fjalim në manifestimin kryesor të Kongresit Paneuropa.
Kongresi, që është një nga forumet më të mëdha në Evropë, lidhet ngushtë me emrin e kontribuuesit të madh për Evropën e bashkuar dhe intelektualit austriak dhe mikut të Kosovës, Otto von Habsburg.
Qëllimi kryesor i këtij kongresi tij është realizimi dhe avancimi i frymës së Bashkimit Evropian.
Me këtë rast zëvendësministri Murtezaj në mesin e shumë personaliteteve të larta shtetërore politike, akademike dhe aktivistëve për kauzën evropiane, do të flasë për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe Kosovën si pjesë përbërëse e familjes evropiane.