Murtezaj: Sfidë për ATK-në mbetet informaliteti

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se ky institucion megjithë suksesin që ka treguar ndër vite, përballet ende me shumë sfida.

“Më 17 janar i kemi mbush 20 vjet, vjet për të cilat ATK ka luftuar bashkë me shumë miq të vendit dhe ndërkombëtarë dhe mendoj që ka arritur sukseset më të lartë të një institucioni siç është ATK-ja. Prej një niveli me 5 milionë të hyra në nivelin fillestar në vitin 2000 kemi arritur që në vitin 2019 të mbledhim 504 milionë të hyra tatimore”.

“Për të gjitha këto vite ATK-ja ka arritur që të mbledhë 4.7 miliardë euro të hyra tatimore dhe 1 miliard e 797 milionë euro kontribute pensionale. Sigurisht që kjo nuk ka qenë një punë e lehtë, por me shumë peripeci gjatë udhëtimit. Edhe nga vlerësimet vendore edhe nga ato ndërkombëtare është thënë se ATK-ja ka arritur një nivel të kënaqshëm të pjekurisë si institucion”.

Murtezaj në Sytë 7 në tha se institucioni që drejton në vazhdimësi përpiqet në krijimin e besueshmërisë tek bizneset, por se nuk mund të thotë që niveli është i kënaqshëm.

Megjithatë për ATK-në sfida kyçe mbetet luftimi i informalitetit.

“Nuk kemi ndonjë raport viteve të fundit, ai i fundit është në vitin 2017 i Komisionit Europian dhe mbi bazën të atij raporti rezulton që kemi një informalitet të ekonomisë se zezë, rreth 31.7 për qind. Sa janë të besueshme këto nuk e dimë sepse vazhdojmë të kemi dyshim në atë duke u ndërlidhu me arritjen e efikasitetit të ATK-së. Nëse marrim një mesatare ndër vite me një rritje të hyrës me 10 për qind, ndërsa rritje ekonomike kemi pasë diku 3-4 për qind rezulton që çdo vit kemi pasë dyfishin e rritjes në raport me rritjen ekonomike dhe kjo është dashur të shënojë ulje të informalitetit”.

Për ta luftuar këtë fenomen Murtezaj tha se ATK-ja nuk mund ta bëjë e vetme, por edhe me bashkëpunimin e gjykatave, prokurorisë dhe policisë, me të cilat thotë se kanë bashkëpunim të mirë për zvogëlimin e mundësisë së keqpërdorimit nga bizneset, njofton Klan Kosova.

Ndërsa, sa i përket borxheve drejtori i ATK-së thotë se zvogëlimi i tij ka qenë një ndër të arriturat më kryesore të vitit 2019.

“Bazuar në proceset juridike kemi obligim që të kërkojmë pagesën e borxhit dhe nëse nuk arrin të paguajë në kohë, pastaj bëhet njoftimi për masat që do të ndërmerren dhe nëse s’përgjigjet jemi të detyruar që të bllokojmë llogarinë bankare apo në doganë. Më e rënda është procesi i konfiskimit të pasurisë. Kemi zhvilluar një mori aktivitetesh dhe kur bizneset e kanë parë seriozitetin atëherë kanë filluar të paguajnë”.

Në veri të vendit gjendja është më sfiduese për të mbledhur paratë e tatimit, megjithatë Murtezaj thotë se ka tatimpagues të sinqertë.

“Ne i trajtojmë të gjithë tatimpaguesit njësoj pa dallim të kombësisë, duhet të pranojmë që është më sfidë. Ne vazhdojmë të punojmë edhe ne pjesën e veriut ku ka zyrtarë serbë që punojnë. Ata bashkë me zyrtarët tatimorë shqiptarë pretendojnë në vazhdimësi që ta luftojnë informalitetin. Ka tatimpagues edhe serbë që janë të rregullt. Njëri prej tatimpaguesve më të mëdhenj të Mitrovicës është serb nga veriu”.

Murtezaj tha se në vitin 2020 komuniteti i këngëtarëve do të jetë pjesë e planit ku do të punojnë më shumë për shkak të të ardhurave më të mëdha.

Metoda e mbledhjes së kuponave fiskalë për ATK-në ka pasë një kosto të madhe edhe në resurset njerëzore që është dashur ta bëjnë verifikimin, prandaj kjo formë e sensibilizimit nuk do të praktikohet më.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme