Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, dhe drejtori i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK) Arian Zeka, kanë vizituar kompaninë “Frutex”, me qëllim që të informohen nga afër me vështirësitë shkaku i pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se u mundëson bizneseve përditësim të të dhënave online. Madje ai është zotuar se do të punojnë në ofrimin e lehtësirave tatimore.
“Sot jemi te një kompani prodhuese me kapacitet shumë të lartë. Ne pamë nga afër procesin e prodhimit, si dhe vështirësitë që kjo kompani ka me sistemin tatimor. Ne nuk mund të ndikojmë në politikat tatimore, por po mundohemi të ofrojmë lehtësira tatimore. Kjo neve na bënë me u ndje krenar, dhe kur një kompani kosovare ka kapacitet të tillë për me e nis një kontingjent për Amerikë, ne si institucione të shtetit duhet të kemi një trajtim me të veçantë”.
“Ne këto ditë kemi futur një komponent të re të ofrimit të të dhënave që ju mundëson bizneseve që përmes sistemit online të bëjnë përditësimin e të dhënave dhe të përfitojnë në kohë, si dhe të përfitojnë nga 60 milionëshi dhe kjo mund të duke bërë përditësimin e të dhënave”.
“Ne jemi duke punuar edhe drejt digjitalizimit, të katër shërbimeve të fundit që kanë mbetur dhe presim deri në fund të viti ti digjitalizojmë”.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka është shprehur se 60 milionëshi i ndarë nga Qeveria nuk është i mjaftueshëm për bizneset, por është inkurajuese për to.
“Vizitat si në kompaninë ‘Frutex’ janë gjithmonë inkurajuese dhe janë shpresëdhënëse që ditë të mirë do të vinë për ekonominë tonë. Tash është edhe një 60 milionësh nga Qeveria dhe Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo Amerikanë kanë dorëzuar edhe një listë tjetër të propozimeve që përfshin edhe një masë të subvencioneve”.
Pronari i “Frutex” Shaqir Palushi ka falënderuar drejtorin e ATK-së dhe drejtorin e OEAK-së për vizitën, raporton EO.
“Këtë vizitë e vlerësoj shumë si një rritje të besueshmërisë, dhe kjo na bënë që ne do të vazhdojmë të jemi bashkëpunues”.
Palushi ka kërkuar që sa më shpejt të ndahen mjetet nga institucionet e vendit që janë planifikuar për bizneset.