Deklaratat e zyrtarëve të koalicionit PDK-AAK-Nisma si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, se kanë siguruar votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, janë një lloje i luftës speciale për të krijuar presion tek deputetë dhe perceptim te publiku se janë siguruar votat.
Ky është vlerësimi që ka analisti politik Imer Mushkolaj për pohimet nga ana e PAN-it se kanë siguruar votat për formimin e qeverisë.
Megjithatë, Mushkolaj thotë se numrat edhe mund të sigurohen, pasi duhet një numër i vogël i deputetëve, por sipas tij, mbetet të shihet se sa funksionale do të jetë një qeveri e tillë.
“Është një lloj i një lufte speciale, është propagandë në fakt për me krijuar një presion edhe tek deputetët por edhe të një perceptimi te opinioni publik se numëruat janë siguruar dhe se Qeveria do të krijohet”.
“Numrat edhe mund të sigurohen po çështja është se çfarë Qeverie do të krijohet dhe sa funksionale do të jetë ajo qeveri”, ka thënë Mushkolaj të shtunën për lajmi.net.
Zyrtarë të PAN-it shprehen të bindur se kanë siguruar votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, e që vijnë nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa.
Madje janë përmendur edhe emra të deputetëve që mund ta votojnë Haradinajn për kryeministër. Ramiz Kelmendi, Labinot Tahiri, Teuta Rugova, Naser Rugova , kanë qenë emrat e përfolur që do të japin votën për Haradinajn. Por, që të gjithë këtë kanë mohuar një gjë të tillë, sikurse edhe zyrtarët e lartë të LAA-së, që janë shprehur se asnjë deputetë i tyre nuk do të jap votë për PAN-in.
E sipas Mushkolaj, secili deputetë që do të votonte koalicionin PAN do të jetë në presion publik dhe shënjestër e partive opozitare.
“Secili deputetë që do të votonte Qeverinë Haradinaj do t’i ekspozohej një presioni publik dhe do të ishte në shënjestër të partive nga vinë por edhe të spektri opozitar”.
“Pra ata deputetë që japin votën nuk do ta kenë të lehtë, do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe, edhe më madhe se në vitin 2014 ku do të votonin eventualisht PDK e cila kishte dalë si subjekti i parë në zgjedhje”, ka vlerësuar ai, të shtunën për lajmi.net.
PDK-AAK-Nisma në zgjedhjet e 11 qershorit kanë fituar 39 ulëse në Kuvendit e Kosovës, dhe për formimin e qeverisë, përveç votave të minoriteteve u duhen së paku edhe dy vota