Musliu: Kosova ka ligje të mira, por ato duhet të zbatohen

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 15:14 | Nga

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, njëherësh kryeredaktor në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka mbajtur një ligjëratë për studentët e vitit të tretë, në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, me ç‘rast ka folur rreth funksionimit dhe monitorimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Duke folur për konceptin e drejtësisë, Musliu ka thënë se është një nga faktorët, i cili ndikon pozitivisht në ndërtimin e një strukture të lartë demokratike dhe ligjore. Sipas tij, Kosova duhet ta funksionalizojë këtë shtyllë esenciale të demokracisë dhe të krijojë një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pavarur.

“Ka disa indikatorë, në të cilët ne mund të bazohemi nëse kemi një sistem të drejtësisë që ofron drejtësi.

Drejtësia legjitimohet vetëm atëherë kur publiku ka besim. Por, nëse i shikojmë sondazhet nga mekanizmat e brendshëm dhe ato ndërkombëtarë, del që shkalla e besueshmërisë në sistemin e drejtësisë në Kosovë është afro 15 përqind, e kjo realisht i bie që nuk ka drejtësi”, vlerësoi Musliu.

Tutje, ai shtoi se Kosova ka ligje të mira por se ato duhet të zbatohen, ani pse sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të mëdha.

“Asnjëherë nuk kemi vuajtur për ligje, jemi duke vuajtur për njerëz që i zbatojnë ligjet në fuqi. Pra, emërimi jo formal i njerëzve që i përkasin klaneve të politikës, mundëson krijimin e problemeve që e bëjnë të brishtë sistemin e drejtësisë, të cilin në fakt, bashkësia ndërkombëtare ka tentuar ta ndërroj”, theksoi Musliu.

Ndërkohë, ai ka folur edhe për rolin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili ka thënë se synimi i kësaj organizate është përmirësimi i qasjes në drejtësi për qytetarët.

Ai tha se IKD do ta përmbushë misionin përmes zhvillimit të hulumtimeve dhe analizave të pavarura, si dhe komunikimit të këtyre hulumtimeve tek politikbërësit, zyrtarët shtetërorë, diplomatët ndërkombëtarë, aktivistët e shoqërisë civile dhe komuniteti akademik.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme