Ganimete Musliu, nga PDK-ja dhe propozuese e debatit parlamentar për skandalin me mishin e prishur që është importuar nga Belgjika bëri thirrje që të lihen anash dallimet partiake dhe lufta partiake për të gjetur një zgjidhje për këtë skandal, sipas saj.
“Vendi ynë është përballë me shumë informata rreth skandalit të mishit, jemi dëshmitarë të pamjeve të tmerrshme në media. Askush nga ne nuk po thotë se jemi duke folur 2 vite më vonë për këtë çështje. Me këtë mish të prishur dhe këtë skandal janë dëmtuar edhe prodhuesit vendorë që ofrojnë produkte cilësore”.
“Duhet të angazhohemi t’i përmbushim detyrat tona, qytetarët janë të rrezikuar, pesticidet, hormonet janë rrezik për shëndetin tonë. Një kontroll duhet të bëhet edhe në thertoret e Kosovës. Në këtë temë të lihet anash lufta politike dhe interesat politike, por të bëhemi bashkë për të gjetur një zgjidhje para se lufta e shijshme e tryezave tona të merr përmasa të mëdha”.
Besa Gaxherri, nga LDK-ja, shprehu shqetësimin e saj për këtë çështje, duke thënë se qeveria është përgjegjëse të kontrollojë importuesit dhe të sanksionojë kompanitë në bazë të ligjit, raporton Ekonomia Online.
Ajo bëri thirrje të bëhet edhe rrëzimi i qeverisë që të gjenden zgjedhjet e problemeve, sipas saj, në krye me LDK-në.
“Qytetari i Kosovës ushqehet me ushqimin më të shtrenjtë në Evropë dhe cilësinë më të dobët në Evropë për shkak të importuesve dhe për shkak se institucionet tona janë të korruptuara. Qeveria e Kosovës duhet të jetë pëgjegjëse që prodhuesit vendorë t’i mbështes dhe importuesit t’i mbajë nën kontroll dhe t’i sanksionojë në bazë të ligjit.
Deputetja Gaxherri e bën përgjegjes AUVK-në dhe Inspektoratin komunal edhe për higjienën e institucioneve publike e private, për shëndetin e kafshëve dhe shpezëve.
“LDK kërkon nga organet përgjegjëse që të respektohet ligji, kërkon nga organet e drejtësisë të merren me këtë fushë seriozisht edhe mos të bëhet pjesë e krimit të organizuar, i cili po e shkatërron popullatën dhe po e gërryen vendin. LDK është tejet e shqetësuar dhe skeptike që kjo qeveri do të merret me luftën e këtyre dukurive, sepse po i bie se do ishte marrë me luftimin e vetvetes. Andaj në kërkojmë që kjo qeveri sa më shpejt të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje për të pasur zgjidhje të problemeve, kuptohet në krye me LDK-në”.
Andin Hoti, nga PDK-ja iu drejtua Besa Gaxherrit se si nuk po bëheni bajat gjithmonë duke e përmend rrëzimin e Qeverisë.
Ndërsa për skandalin e mishit ai theksoi se po preken edhe kompanitë e “ndershme”, siç i quajti ai, raporton EO.
“Ky rast nuk mund të quhet vetëm skandal, përbën krimin më të rëndë që mund t’i bëhet shoqërisë, sesa vrasja e popullit me produkte të tilla. Skandali i fundit ku janë gjetur minj dhe insekte të tjera.Unë kam hasur disa herë në insekte. Shumë pak ka progres në këtë drejtim kompanitë të cilave ju kanë gjetur mish të prishur, kompanitë që importojnë dhe shesin pa problem në Kosovë produkte të prishura edhe pas skandaleve që ato krijojnë, ato vazhdojnë të operojnë në Kosovë edhe më tutje, kjo është e dhimbshme, kjo tregon fuqinë politike që kanë ato kompani te ne dhe mbi ne”.