Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, edhe njëherë ka reaguar në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, duke i dalë në mbrojtje vlerësimit të Komisionit Shtetëror për demarkacion.
Ai ka thënë se kufiri me Malin e Zi është ai në të cilin ka ndërhyrë Aleanca Veriatlantike në krye me SHBA-të, i definuar në Marrëveshjen e Kumanovës, i “vizatuar” me Planin e Ahtisaarit, i respektuar me Planin Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës.
“Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare nuk ka përcaktuar kufij të rinj, ka respektuar kufijtë në të cilët kemi shpallur pavarësinë. Prandaj, garat me harta dhe me dokumentacion kadastral, ndërmjet Komisionit Shtetëror dhe disa ekspertëve që kanë marrë bajrakun për të treguar se cilët duhet të jenë kufijtë e Kosovës, e humbin rëndësinë. Kufijtë për Kosovën janë caktuar kur është çliruar Kosova dhe kur është shpallur pavarësia. Nuk caktohen sot, as në mbledhjen e 1 Shtatorit”, ka theksuar Mustafa në një postim në Facebook.
“Ne mund ta helmojmë opinionin me lloj-lloj “argumente”, mund edhe të kërcënojmë se kurrë nuk do të ratifikohet marrëveshja, por duhet të jemi realistë se kufij tjerë të këtij shteti nuk do të ketë. Janë këta kufij që i njohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti ndërkombëtar”, është shprehur Mustafa.
Kryeministri i Kosovës tha më tej se në deklaratat tona munda ta zgjerojmë Kosovën sipas orekseve dhe kuteve politike, por “realiteti është se kufijtë ndërkombëtarë nuk janë vullnet i vetëm një pale”.
“Janë vullnet i dy palëve, i cili në rastin tonë është nënshkruar në nivel qeveritar, dhe vullnet i atyre që na kanë ndihmuar të çlirohemi, ta shpallim pavarësinë dhe po na përkrahin në shtetndërtim”, ka potencuar Mustafa.
“Ne duhet të ndihemi të nderuar dhe të respektuar që me çështjet tona merret edhe zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. SHBA nuk i kanë borxh Kosovës, ne u kemi borxh Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar për gjithë atë që e bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës përfshirë edhe viktimat njerëzore të tyre. Asnjëri nga deputetët dhe ne qeveritarët nuk është aq i ri sa mos të kujtojë kohën e luftës dhe apelin që të na ndihmojë bashkësia ndërkombëtare”, ka përfunduar kreu i ekzekutivit të Kosovës, Isa Mustafa.