Shpejtim Bulliqi, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili u përjashtua nga lista për deputet nga Isa Mustafa e ka akuzuar këtë të fundit për rezultatet e djeshme ku subjekti i tyre u rendit pas Lëvizjes Vetëvendosje, pra në vendin e tretë.
Bulliqi tha se Mustafa se bashku me Kryesinë e LDK’së e kanë zgjedhur Avdullah Hoti që ta sakrifikojnë për t’i mbuluar kështu dështimet e tyre.
Bulliqi, ndonëse ka një mendim të mirë për Hotin e të cilin e quan një njeri shumë të shquar dhe një nga ministrat më të mirë që ka pasur qeveria e kaluar, thotë se këtë person e dogji për interesa të caktuara Mustafa me anëtarët tjerë të Kryesisë.
“Ky reformim që u bo dhe ky kuadro, pra z Hoti ka qenë një kuadro shumë e shquar është njëri nga ministrat më të suksekshëm që ka pasur kjo Qeveri dhe ne më këtë e sakrifikuam ketë njëri. E nxorën në publik dhe nuk arritën me nxjerr si subjekt i parë për ta formuar qeverinë.
Pra e dogjëm në kuptimin politik një kuadër të shquar në kuptimin profesional. Unë mendoj që është një humbje e madhe.
Kjo ka qenë një strategji e Mustafës së bashku më kryesinë për t’i fshehur dështimet që i bënë pas koalicionit pa pëlqimin e elektoratit”, tha Bulliqi në Rrokum Roll.
Bulliqi i cili ka qenë një nga deputetët më të zëshëm kundër Demarkacionit tha se LDK në zgjedhjet e djeshme humbi 12 mijë vota dhe këtë ai e quan humbje të madh.
Ai tha se qytetarët treguan se çka është ajo që duhet të bëjë LDK-ja pasi përndryshe siç shprehet ai, nëse ky subjekt nuk reflekton, atëherë dihet cili do të jetë fati i LDK-së.