Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk po guxon që ta thërras Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie që të marrë “mbështetjen” për demarkacionin.
Burime të Gazetës Blic të afërta me kreun e kësaj partie, kanë theksuar se Mustafa e di që në Këshillin e Përgjithshëm do të ketë kundërshtime për demarkacionin, prandaj ka vendosur që ta thërras vetëm Kryesinë dhe kryetarët e degëve, kinse ka mbështetje në këtë proces.
“Në Këshillin e Përgjithshëm përpos deputetit Shpetim Bulliqi që do ta kundërshtonte demarkacionin me argumente të fuqishme, edhe shumë anëtarë tjerë, përfshirë deputetët që kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhje të tilla, do të dilnin kundër, gjë që po e frikësojnë Isa Mustafën ta thërras organin më të lartë vendimmarrës për për çështjen e demarkacionit”, tha ky burim i Gazetës Blic.
Ndërkaq, zyrtarisht askush nga LDK nuk ka dashur që të flas për këtë çështje.
Në anën tjetër, në njoftimin e lëshuar dje për medie nga mbledhja e Kryesisë dhe kryetarëve të Degëve të kësaj partie, u tha se ka mbështetje për çështjen e demarkacionit.
Mirëpo, sipas burimeve të Gazetës Blic janë një numër i madh i deputetëve të kësaj partie që po e kundërshtojnë demarkacionin me Malin e Zi, e ata janë 10: Shpetim Bulliqi, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Armend Zemaj, Adem Salihaj, Fatmir Rexhepi, Murat Hoxha, Hatim Baxhaku, Anton Quni dhe Besa Gaxherri.
Ndërkohë, në anën tjetër, në Kryesinë e LDK-së, si organi më i lartë i kësaj partie, nga 33 deputetë, vetëm 4 prej tyre janë pjesë e këtij organi të partisë e ata janë: Sabri Hamiti, Ismet Beqiri, Lirie Kajtazi dhe Anton Quni.