Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se janë në rrugë të mirë në realizimin e projektit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të zgjidhë problemin me furnizim të energjisë elektrike.
Këto komente ai i ka bërë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në të cilin është diskutuar rreth të arriturave në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Kryeministri i Mustafa tha se që nga marrja e mandatit në krye të qeverisë, është përballur me pengesa të shkaktuara nga opozita për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Por, ai tha se përkundër kësaj, ai tha se nuk ka lënë asnjëherë mbrapa zhvillimin ekonomik.
“Përkundër këtyre sfidave, përballjes me gaz lotsjellës e molotov, kemi pa sur rritje ekonomike”, deklaroi ai, duke përmendur të arriturat e Kosovës.
Kreu i ekzekutivit të vendit, tha se qeveria që ai drejton ka bërë disa reforma si dhe ka nënshkruar edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të njohur si MSA-në.
Kryeministri ka folur edhe për investimet në zonat ekonomike ku ka thënë se qeveria do të përkrahë investimet në këto zona.
Ai shtoi se Kosova nga vlerësimi i Bankës Botërore, për kushtet e të bërit biznes, nga nota 2.6 ka marr notën 4.6, derisa nota maksimale është 6.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, theksoi se ministria që drejton ajo ka bërë shumë në eliminimin e barrierave të ndryshme.
“Ne kemi bërë eliminimin e shumë barrierave, forcimin e shumë ndërmarrjeve në Kosovë, kthimin e besimit të bizneseve në institucione, kemi pasur një ngritje substanciale të investimeve të huaja dhe gjithashtu një rritje të numrit të kompanive me pronar të huaj”
“Në vazhdën e përpjekjeve të shumta me kënaqësi mund të themi se ne sot mund të flasim për një sërë ndryshimesh dhe zhvillimesh mjaft të rëndësishme pozitive të cilat janë arritur në fushën ekonomike me aktivitetin e shtuar të bizneseve dhe me rritjen e investimeve në përgjithësi”, ka thënë ministrja Bajrami.