Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se kauza e opozitës rreth demarkacionit është e rrejshme dhe e mbështetur nga disa gjeograf.
Sipas kryeministri Mustafa kjo kauzë është me motive politike dhe po shfrytëzon terminologji nacionaliste.
“Është në përputhje të plotë me territorin që menaxhon komuna e Pejës. Kauza e opozitës me insistimin e disa gjeografëve, është e rrejshme. Është krejtësisht me motive politike. Për përfitime politike duke shfrytëzuar terminologji nacionaliste. Unë jam i bindur sikur opozita që sot po kundërshton këtë marrëveshje pa argumente, po të ishte në pushtet do ta mbronte këtë marrëveshje me dy duart. Konstatojmë pa hamendje se ata që kundërshtojnë këtë vij kufitare e bëjnë për të mbështetur një kauzë të rrejshme të AAK-së përkatësisht opozitës. Përcaktimi i kufirit është proces i dyanshëm dy palësh”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë ndër tjerash se qytetarët kanë shfrytëzuar ato toka për bagëti mirëpo, sipas tij taksa kanë paguar në Rozhajë.
“Këto toka mund të shfrytëzohen edhe sot edhe në të ardhmen pasi ekziston vullneti i Malit të Zi për këtë çështje. Ne nuk duhet të tregojmë trimëri për prona që nuk janë tonat. Edhe me deklaratë të pavarësisë kemi pranuar se do të respektojmë kufijtë e vendeve fqinje”, ka thënë Mustafa.