Kryeministri Isa Mustafa thotë se Kosova nuk e humb asnjë metër katror nga demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Sipas tij, Republika e Kosovës i ka 10.906 kilometra katror dhe Komuna e Pejës i ka 603 kilometra katror, aq sa i ka pasur më herët.
Mustafa përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka sqaruar se kufiri me Malin e Zi është në përputhje të plotë me Deklaratën e Pavarësisë dhe Pakon Ahitsaari.
“Është shumë e qartë se pavarësia nuk është shpallur në bazë të hartave të viteve të tridhjeta, të dyzeta apo të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, por mbi bazën e territorit që Kosova ka pasur në vijat kufitare më 31 dhjetor të vitit 1988”, ka thënë ai, me këtë rast.
Ndërkaq, pyetjeve të disa qytetarëve se sa kilometra katror i ka Kosova sipas këtij procesi, kryeministri Mustafa i është përgjigjur duke thënë se sipas Komisionit Shtetëror Kosova i ka 10.906 kilometra katror dhe Komuna e Pejës i ka 603 kilometra katror.
“Sipas Komisionit Shtetëror për shënjimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në bazë të këtij procesi që ne po e adresojmë, Republika e Kosovës i ka 10.906 kilometra katror. Po ashtu, Komuna e Pejës i ka 603 kilometra katror, aq sa i ka pasur më herët dhe nuk e humb asnjë metër katror”, ka qenë përgjigja e Mustafës.