Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kryeministri aktual, Albin Kurti më nuk po i beson as vetes lidhur me Asociacionin.
Mustafa ka thënë se dikur Kurti besonte që Asociacioni nuk duhet të kalojë. Ai ka pyetur, pse duhet të kalojë tani kjo marrëveshje.
“Në qoftë se ata kanë besuar në ato kauza, atëherë pse të kalojë Asociacioni. Në qoftë se kryeministri ka qenë i bindur që Asociacioni nuk duhet të kalojë, atëherë pse të kalojë meqenëse i ka votat në Kuvend”, ka thënë Mustafa.
“Votuesve u ka thënë që Asociacioni nuk kalon kurrë, tash po kalon”, ka thënë ai në transmetuesin publik.
Duke i komentuar 6 kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit, Mustafa ka thënë se kryeministri nuk mund ta kalojë këtë situatë duke bërë lojëra me fjalë.
“Kryeministri nuk i beson as vetes, as fjalëve të veta e qëndrimeve të veta. Po t’i besonte fjalëve të veta, nuk duhet vënë kushtet që Asociacioni të kalojë. Kryeministri nuk mund ta kapërcejë këtë situatë, duke bërë lojë fjalësh”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti, të enjten e kaluara ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushte që sipas tij do të mund të themelohej bashkësia me shumicë serbe.
Kushti i parë është që Asociacioni të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, i dyti është ndërrimi i emrit, të mos jetë monoetnik e të mos ketë fuqi ekzekutive, kushti tjetër është i reciprocitetit me Serbinë në aspektin e të drejtave të pakicave. Me kushtin e katërt kërkohet që strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
Kurti thotë që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe si kusht të gjashtë kërkon që presidenti i Serbisë t’i tërheqë letrat ndaj 5 vendeve jo njohëse të Kosovës.