Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se partia e tij nuk do të pranojë me asnjë kusht pazare territoriale me Serbinë.
Duke pyetur krerët e shtetit se çfarë po ndodh me veriun dhe pse veriu s’ka komunikim me institucionet qendrore, Mustafa ka thënë se frikësohet mos ky është akt i paramenduar për pazare territoriale me Sebrinë.
Ai ka pyetur Presidentin, Kuvendin e Qeverinë se a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat në veri të vendit.
Postimi i Mustafës:
Çfarë po ndodhë me dhe në veriun e vendit, a di kush?
Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore).
Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligji.
Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht.