Mustafa tregon për takimin me Haradinajn: Ia bëmë të qartë qëndrimet e LDK-së për dialogun

Prishtinë | 08 Kor 2018 | 11:58 | Nga

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka treguar se në një takim të shtunën në mbrëmje ia ka bërë të qartë kryeministrit Ramush Haradinaj qëndrimet e partisë së tij për dialogun me Serbinë.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sipas Mustafës, LDK-ja ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe po e jep edhe tash si subjekt opozitar parlamentar.

Haradinaj i pranishëm në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së

“LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar më tej Mustafa.

Mustafa po ashtu ka falënderuar të gjithë liderët që e kanë vizituar në procesin e rehabilitimit fizioterapeutik.

“Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti. Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou. Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar”, ka shkruar ish-kryeministri Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme