Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një tubimi me qytetarët e Artanës, ka thënë të mërkurën se asnjë kandidat nuk është më meritor sesa Bajrush Ymeri, për të qenë kryetar i Artanës.
“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Artanës dhe komunitetet e tjera, që ta përkrahin kandidatin tonë për kryetar komune. Kam bindjen e plotë se askush më shumë se Bajrush Ymeri nuk meriton të jetë kryetar i Artanës. Gjatë qeverisjes së Ymerit deri më 2013, ai i ka respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ka përmbushur të gjitha premtimet”, ka thënë Mustafa, përcjell EkonomiaOnline.
Ai potencoi se gjatë qeverisjes së Ymerit do të ketë më shumë investime në të gjitha fshatrat, pavarësisht përbërjes etnike të banorëve.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Artanës, Bajrush Ymeri, ka thënë se LDK i njeh më së miri problemet me të cilat përballen qytetarët e Artanës.
“Prioritete tona janë zhvillimi ekonomik, më konkretisht bujqësia dhe turizmi. Do të subvencionojmë nga komuna sektorin e bujqësisë, femrat e gjedheve, deleve dhe dhive, kultivimin e bimëve të ndryshme, frutat e malit etj”, ka thënë Ymeri.
Sa i përket turizmit, ai tha se do t’i përkrahim familjet që merren me turizmin rural. “Ne planifikojmë ta restaurojmë Kalanë e Artanës e cila ka një histori në vete shumë atraktive për tu vizituar nga turistët dhe vizitorët e ndryshëm nga shumë vende të botës”, shtoi ai.