Me humbje të thellë 3:0 ka debutuar mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, te Schalke në Bundesligë.
Skuadra e tij u mposht në shtëpi nga Leipzigu në kuadër të xhiros së 20-të.
Mukiele, Sabitzer dhe Orban shënuan golat për fitoren e Leipzigut.
Mustafi ishte titullar dhe u paraqit për 90 minuta, në ndeshjen e parë që nga transferimi prej Arsenalit.
Leipzigu është i dyti në Gjermani me 41 pikë të tubuara, shtatë më pak se lideri Bayern. Schalke renditet e fundit me vetëm tetë pikë pas 20 ndeshjesh.
Befasohet Dortmundi
Borussia Dortmund është befasuar nga skuadra e Freiburgut në kuadër të xhiros së 20-të të Bundesligës duke u mposhtur të shtunën 2:1.
Pjesa e parë nuk pati gola, përkundër rasteve që kishin të dyja ekipet.
Me të filluar pjesa e dytë vendasit kaluan në epërsi prej 1:0, me një gol të bukur të shënuar nga Jeong Woo në minutën e 49-të.
Vetëm tre minuta më vonë ishin sërish nikoqirët që shënuan me Schmid, që realizoi një gol të bukur për 2:0.
Pas dy golave të pësuar Dortmundi, rriti presionin para portës kundërshtare. 16-vjeçari Youssoufa Moukoko në minutën e 76-të ngushtoi epërsinë në 2:1.
Deri në fund verdhezinjtë tentuan të barazonin rezultatin por pa sukses.