Përmirësimi i mjedisit për biznesin vendor dhe adresimi i të gjitha shqetësimeve që kanë do të jenë çështje që MZHE do t’i trajtojë me prioritet, kështu ka thënë Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, gjatë takimeve të ndara që ka zhvilluar sot me kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, drejtorin e Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi dhe koordinatorin e Biznes Forumit në Prizren, Levent Bush.
Me këtë rast ministri Lluka ka siguruar krerët e OEK, OAK dhe BFP se bashkëpunimi i ngushtë i MZHE-së me odat ekonomike dhe forumet biznesore do vazhdojë, në mënyrë që biznesi të jetë pjesë aktive e politikë bërjes, promovimit dhe krijimit të një mjedisi të përshtatëm për zhvillimin e tij.
Më tej, Ministri Lluka ka njoftuar krerët e dy odave me projektet e MZHE-së, e veçanërisht ato në sektorët strategjikë, siç janë energjia dhe minierat, që vlerësohen, duke nënvizuar se sektori duhet të jetë promotor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në vend.
I pari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka shtruar nevojën e rishikimit të kushteve kontraktuale sa i përket projektit të TC Kosova e Re, i cili vlerësohet ndër investimet më të mëdha të huaja direkte që do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik.
Ndërkaq, gjatë takimit me organizatorët e Biznes Forumit në Prizren është diskutuar për organizimin e IV me radhë të Panairit Ndërkombëtar në Prizren, ku do të zhvillohen takimet e biznesmenëve B2B me qëllim të arritjes së marrëveshjeve dypalëshe për projekte të përbashkëta.
Nga ana e tyre krerët e OEK-ut, OAK-it dhe BFP-së kanë uruar ministrin Lluka për zgjedhjen e tij në pozitë të ministrit të MZHE, duke ofruar atij mbështetje të plotë në rrugëtimin e tij drejt një zhvillimi ekonomik të vendit.