12 qershor 1999, dita kur zbarkoi liria në Kosovë

Prishtinë | 12 Qer 2022 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Para 23 vjetësh për shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë, do të kishte qenë një nga nga ditët rraskapitëse e plotë ankth. Njësoj edhe për ata që fat e kishin pasur dëbimin nga vendi, nga forcat e Millosheviqit që më 1999 intensifikuan dhunën e brutalitetin ndaj Kosovës nën okupim. Por 12 qershori, sot e 23 vjet më parë, është dita që shënon kapërcimin nga vuajtjet e një populli drejt lirisë së tërë. Instrumentale për këtë “dhuratë” ishte NATO dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Atë ditë përfundimisht zbarkon liria në Kosovë.

Kosova sot shënon 23 vjetorin e çlirimit apo një nga ditët më të rëndësishme të historisë së vendit. 23 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti me rastin e Ditës së Lirisë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi. Nga aty Osmani e Kurti ua kanë uruar qytetarëve 12 Qershorin, Ditën e Lirisë.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se institucionet e Kosovës nuk e harrojnë të kaluarën dhe se do të angazhohen për drejtësi për viktimat, dëmet dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.

Ndërsa, para mediave presidentja Vjosa Osmani tha se “Arkitekti i Pavarësisë Ibrahim Rugova e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës para gjithë botës, duke ndërtuar ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), dhe lufta çlirimtare e saj ishin shumë të rëndësishme për lirinë e vendit.

Të ngjashme