95.1% e kosovarëve përkrahin anëtarësimin në NATO, 93.9% pro BE-së

Prishtinë | 16 Mar 2022 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

UBO Consulting ka kryer një hulumtim në Kosovë ku qytetarët janë pyetur rreth temave të ndryshme që preokupojnë vendin.

OMNIBUS është një matje që bëhet me 1065 qytetarë, ku institucionet, organizatat dhe bizneset mund të vendosin pyetjet e tyre për të kuptuar qëndrimin e opinionit publik lidhur me një temë të caktuar.

UBO Consulting, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në botë, rajon dhe vend, ka vendosur që të bëjë disa pyetje aktuale për të parë disponimin e opinionit lidhur me temat e ndryshme.

Duket se vazhdon të ekzistojë një disponim i lartë i qytetarëve për anëtarësim në NATO dhe BE.

95.1% e të anketuarve në pyetjen “A duhet të anëtarësohet Kosova në NATO” janë përgjigjur me po, 4% jo ndërsa 0.9% “Nuk e di”.

Ngjashëm, në pyetjen se “A duhet të anëtarësohet Kosova në BE”, 93.9% e qytetarëve janë përgjigjur për po, 5.2% jo dhe 0.9% nuk e di.

Në këtë pyetësor janë pyetur qytetarët e të gjitha etnive. Tek shqiptarët 99.4% janë përgjigjur pro anëtarësimit në NATO, 0.4% kundër dhe 0.2% “nuk e di”. Ndërsa tek serbët, asnjë nuk është përgjigjur pro, 86% kundër dhe 14% “nuk e di”. Minoritetet tjera janë përgjigjur 90.7% pro anëtarësimit në NATO, 4.7% kundër dhe 4.7% nuk e di.

Për pyetjen e anëtarësimit në BE, sipas etnive, shqiptarët janë përgjigjur me 98.3% pro anëtarësimit, 1.5% kundër dhe 0.2% kanë abstenuar. Serbët janë përgjigjur në mënyrë identike si për anëtarësimin në NATO, asnjë nuk është përgjigjur pro anëtarësimit në BE, 86% kundër dhe 14% nuk e di. Ndërkaq minoritetet tjera janë përgjigjur 90.5% pro anëtarësimit në BE, 7.1% kundër dhe 2.4% nuk e di.

Përzgjedhja e amvisërisë duke shfrytëzuar metodën sistematike të rastësisë, si dhe zhvillimi i anketës me personin i cili e ka ditëlindjen e parë më të afërt i moshës mbi 18 vjet. Pyetësori është realizuar me 1065 të anketuar. Pyetësori është realizuar nga data 7 mars deri më 15 mars 2022 në 38 komuna të Kosovës dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95% me marzhë të gabimit prej +-3 pikë të përqindjes.

Të ngjashme