Abrashi: Për Mitrovicën duhet një plan “Marshall”

Prishtinë | 02 Nën 2020 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi ne seancën e sotme në të cilët është duke u debatuar për situatën në veri të Mitrovicës, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të formojë një trupë të veçantë në kuadër të zyrës së kryeministrit e cila do të adresojë të gjitha problemet e qytetit të ndarë.

Abrashi tha se problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Mitrovicës së Veriut kërkojnë një trajtim të veçantë nga të gjitha institucionet e shtetit.

“Problemet me të cilat po ballafaqohet qytetarët e Mitrovicës së Veriut, kërkojnë një trajtim të veçantë nga të gjitha institucionet e Kosovës. Mitrovica, qytet ky që dikur ishte krenaria e Kosovës me kapacitete prodhuese e përpunuese të Trepçës që për vite të tëra ka kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, sot ka status të qytetit të ndarë dhe qyteti më i varfër i Kosovës, me normën më të lartë të papunësisë dhe me numër më të madh të qytetarëve me asistencë sociale në raport me numrin e popullsisë që e ka”, tha Abrashi.

Ai tha se institucionet e vendit janë sjellë në raport me Mitrovicën sikur ajo të ishte 400 kilometra larg Prishtinës e jo 40 sa realisht është.

“Qyteti I Mitrovicës po vazhdon të jetë pikë e nxehtë në aspektin politik, dhe 20 vjet pas luftës vazhdon me qenë i ndarë në dysh në baza nacionale për ta sfiduar në çdo kohë qeverisjen e vendit nga ndikimet e Serbisë në pjesën veriore të qytetit për tensionime të situatës që në rend të parë i atakon qytetarët e këtij qyteti si në pjesën jugore ashtu edhe në atë veriore. Jemi të vetëdijshëm se në të kaluarën institucionet nuk kanë pasur prioritet për gjetjen dhe adresimin për integrimin dhe zhvillimin e Mitrovicës, këtij qyteti të rëndësishëm për Kosovën, dhe jemi sjellë në atë mënyrë sikur Mitrovica të ishte 400 kilometra larg Prishtinës dhe jo vetëm 40, duke shtyrë realitetin e dhimbshëm të këtij qyteti”, shtoi Abrashi.

Abrashi tha se për Mitrovicën duhet një plan ‘Marshall’ i cili për shkak të specifikave, me lehtësi do të mund të mobilizonte fonde ndërkombëtare në mënyrë që qyteti i ndarë të ringjallet dhe të jetë shembull.  

”Është ardhur koha të merremi me Mitrovicën, me strategji afatgjate politike dhe ekonomike për të trajtuar dhe zgjidhur problemin e qytetit dhe qytetarëve të saj. Është ardhur koha që qeveria të formojë një trup të veçantë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit që të hartojë një plan afatshkurtër dhe afatmesëm që t’i adresonte të gjitha problemet e qytetit të ndarë dhe më të varfër të vendit dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar të filloi implementimi i atij plani. Një plan ‘Marshall’ për qytetin e Mitrovicës i cili për shkak të specifikave, me lehtësi do të mund të mobilizonte edhe fonde ndërkombëtare në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të ringjallet dhe të jetë shembull”, përfundoi Abrashi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme