AGK reagon ndaj vendimit të AShNA-së për gazetaren Thaçi-Mehmeti

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 11:13 | Nga

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj vendimit të drejtorit të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror për ndërprerje të komunikimit me gazetaren Ardiana Thaçi-Mehmeti.

“Gazetares Thaçi-Mehmeti i është bërë me dije që vet drejtori i agjencisë, Bahri Nuredini ka dhënë urdhër që të ndërpritet komunikimi i këtij institucioni me të. Kjo është bërë e ditur kur gazetarja ka paraqitur së fundmi një kërkesë për qasje në dokumente publike në këtë agjencion dhe i është refuzuar qasja për shkak të vendimit të drejtorit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK vlerëson se këto veprime të drejtorit të institucionit publik paraqesin shkelje të parimeve për respektimin e transparencës dhe shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për qasje në dokumente publike, transmeton Ekonomia Online.

AGK kërkon nga drejtori Bahri Nuredini që ta tërheqë vendimin që ka marrë dhe e inkurajojmë që të krijojë raporte profesionale me mediat, në këtë rast edhe me gazetaren Thaçi Mehmeti.

Asociacioni po ashtu kërkon nga ky institucion dhe të tjerat që të respektojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike si dhe të jenë të hapura për gazetarët.

“Më 24 nëntor 2017, AGK ka reaguar ndaj një fushate shpifëse që po i bëhej gazetares Thaçi Mehmetit nga drejtori i ASHNA-së, Bahri Nuredini të cilit nuk i kishin pëlqyer shkrimet hulumtuese të gazetares.

Nuredini kishte publikuar masivisht vendimin e tij kundër Thaçi Mehmetit duke e publikuar edhe në ekranin që qëndron në hollin kryesor të këtij institucioni. Lajmi linçues ka qëndruar edhe në web faqen e agjencisë për një kohë dhe gazetarja është quajtur me emra të ndryshëm, si ‘dezinformatore’ dhe gazetare që punon për ‘grupe të interesit’”, thuhet tujte në reagim.

Ky lajm është larguar nga ekrani dhe web-faqja menjëherë pas reagimit të AGK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme