Ahmeti pret në takim Apostolovan

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 08:40 | Nga

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka pritur në takim me shefen e Zyrës së BE-së, njëherësh  edhe përfaqësuesen speciale të BE-së në Kosovë,Nataliya Apostolova. Në takim u diskutua situata e përgjithshme në Kosovë dhe roli i BE-së në Kosovë, me theks të veçantë në qeverisje lokale.

Apostolova shprehu brengosjen e saj për ndotjen e ajrit në Prishtinë, si problem që është paraqitur dhe u interesua për infrastrukturën rreth Pallatit të Drejtësisë në Hajvali, që është ndërtuar me investime të BE-së.

Kryetari Ahmeti shpjegoi se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë disa masa në uljen e ndotjes së ajrit, siç janë projekti i kogjenerimit për ngrohjen qendrore, mbjelljen e rreth 3000 fidaneve dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra, reformimin e transportit publik me 51 autobusë të rinj me emetim të ulët të gazrave, por vuri në pah se ndotja më e madhe vjen prej termocentraleve dhe emitimit të gazrave nga makinat e vjetra që qarkullojnë në qytet.

Ahmeti poashtu e njoftoi  Apostolovan për Planin e Mobilitetit, i cili do ta zhvillojë një funksionim të plotë të qarkullimit në qytetin e Prishtinës, nga i cili do të përfitojnë edhe pjesët periferike të qytetit. Në këtë aspekt ai e permendi edhe Pallatin e Drejtësisë, i cili do të ketë infrastrukturë të rregulluar rrugore dhe linjë të rregullt të transportit publik.

Kryetari shprehu gatishmërinë që të informojë BE-në për mënyrat e mundshme për ndotjen e ajrit në Prishtinë dhe sugjeroi një takim me palët e interesit për përmirësimin e infrastrukturës për qasje në Pallatin e Drejtësisë. Të dyja palët u pajtuan që të organizojnë një vizitë të përbashkët projekteve të BE-së në komunë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme