AKK-ja vendos për tenderin që e fitoi kompania e Blerim Kuçit

Prishtinë | 08 Jan 2021 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kundër Korrupsion ka vendosur për rastin e Ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në lidhje me tenderin 5 milionësh për ndërtimin e spitalit “Nëna dhe Fëmija” në Prizren.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion ky tender nuk ka pasur konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit.

Në vendim të cilin e ka publikuar në Facebook, edhe Blerim Kuçi, thuhet se kontrata nuk është fituar brenda institucionit ku Kuçi është ministër dhe prandaj nuk paraqet konflikt interesi.

“Më lejoni të ndaj me ju vendimin e Agjencionit kundër Korrupsion në rastin e shqyrtuar nëse ka pasur konflikt interesi mes pozitës sime si ministër i Ekonomisë dhe Ambietit, me tenderin e fituar nga kompania “Hidroterm” në ndërtimin e spitalit “Nëna dhe Fëmija'”, ka shkruar Kuçi.

Në vendimin e AKK-së, të lëshuar më 24 dhjetor 2020, është vendosur që rasti është mbyllur për shkak se nuk ka prova që argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e situatës së mundshme të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

“AKK  ka konstatuar se në këtë rast biznesi privat NPN “Hidroterm” sh.p.k, nuk ka fituar kontratë brenda institucionit ku zyrtari i lartë ushtron funksionin publik, e që në kuptim të nenit 13, paragrafi 3, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, një kufizim të tillë vlen vetëm brenda institucionit të nivelit qendror dhe lokal, ku zyrtari i lartë ushtron detyra publike. Gjithashtu dokumentet dhe kontrata në fjalë janë nënshkruar nga personi i besuar (personi i autorizuar) i biznesit në fjalë. Prandaj në rastin konkret, Agjencia Kundër Korrupsion konstaton se nuk ka prova me të cilat vërtetohet ekzistimi i situatës së konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin e lartë, subjekt i trajtimit për konfliktin e mundshëm të interesit”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme