Asnjë hap për sallë koncertale, Komuna do rrënimin e ish-“Gërmisë”

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Dy muaj pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar zgjidhje sa i përket rrezikut për humbjen e 15.4 milionë eurove për ndërtimin e një salle koncertale, s’ka asnjë hap konkret.

Qeveria e as Komuna e Prishtinës nuk kanë lëvizur. E para nuk është marrë më me këtë çështje. E dyta është në shqyrtim të ndonjë lokacioni tjetër, por vazhdon të mos heqë dorë nga ish-ndërtesa e “Gërmisë” që është monument. Komuna, edhe pas letrës së Këshillit Ndërkombëtar për Monumente dhe Lokalitete (ICOMOS), ku shkruhet se monumenti duhet ruajtur, kërkon rrënimin e tij me arsyetimin se fasada do të mundë të ishte pjesë e një ndërtese të re.

Komisioni Evropian nëpërmjet fondeve të IPA-s ia ka zotuar Komunës së Prishtinës mbi 15 milionë për sallë koncertale. Por ende nuk ka asgjë të sigurt.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se çështja qëndron aty ku ishte. Ka përmendur vendimet e Qeverisë. Ndër të tjera, se më 19 mars të këtij viti Qeveria e kishte ndryshuar vendimin e saj të mëhershëm dhe ka hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse Ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ish-“Gërmia” vazhdon të qëndrojë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ka shtuar se aktualisht nuk mund të hiqet nga kjo Listë pasi Kuvendi nuk i ka emëruar anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, organ ky që vendos nëse monumentet e Listës së përkohshme kanë vlera të jenë në Listën e përhershme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme