Asnjë parti nuk ka paraqitur koalicion, Elezi: Afati mbyllet në ora 18:00

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se partitë politike kanë afat për paraqitjen e koalicioneve vetëm deri më datë 12 janar. Kuse sipas Elezit ende asnjë parti nuk ka bërë diçka të tillë.

“Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes Koalicionit, duhet që të njoftojnë KQZ-në deri më datë 12 janar dhe deri në orën 18:00. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike. Deri në këto momente nuk kemi pranuar asnjë deklarim për koalicione” është shprehur ai.

Elezi poashtu ka bërë me dije se pas afatit të paraparë për certifikim asnjë parti nuk mund të garojë në koalicion.

“Janë disa rregulla të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe të cilat duhet t’i kenë parasysh partitë politike. Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë” ka shtuar ai.

Poashtu Elezi ka treguar se partitë që paraqesin koalcion nuk mund të garojnë të vetme pastaj.

“Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje. Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit” ka përfunduar Elezi për EO.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme