Austriaku që u gjet i vdekur dje në një hotel në Prishtinë ishte biznesmen

Prishtinë | 15 Qer 2019 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Një shtetas austriak, Gernot J., u gjet i vdekur në një prej hoteleve të Prishtinës. Siç ka mësuar gazeta austriake “Kronen Zeitung”, i ndjeri 47 vjeçar ishte biznesmen dhe u gjet i vdekur në dhomën e tij të hotelit të premten pasdite.

Gernot J., me prejardhje nga zona Wels në Austri, kishte vizituar Kosovën disa herë. Dhe gjithmonë për biznes, transmeton Koha.net.

Gazeta austriake thotë se edhe kësaj radhe, shtetasi austriak ishte në vizitë në Kosovë për biznes, dhe sipas gazetës, ai kishte një takim me një partner biznesi në një hotel në Prishtinë.

Nëse takimi ka ndodhur apo nëse ka ndonjë lidhje me vdekjen e 47-vjeçarit, ende nuk dihet.

E tëra që tashmë dihet është se Gernot J. është gjetur i vdekur dje në dhomën e tij të hotelit rreth orës 15:00.

Gazeta po ashtu thotë të ketë mësuar nga burime se vrasja e tij po cilësohet e dyshimtë. Është urdhëruar të bëhet autopsia e trupit të tij për të zbuluar rrethanat e vdekjes.

Të ngjashme