Avokatët: 90% e zyrtarë lirohen në mungesë të provave, qëllimisht po punohet për epilog lirues

Prishtinë | 06 Gus 2022 | 08:06 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zvarritja e rasteve gjyqësore po konsiderohet shqetësuese nga njohësit e çështjeve juridike. Përveç zvarritjes së lëndëve është vënë theksi edhe te mungesa e dënimeve meritore për zyrtarët e profilit të lartë, raporton Ekonomia Online.

Avokatët në Kosovë, thonë se edhe kur shqiptohen dënimet për ta, ato janë minimale dhe vetëm me gjobë apo me kusht. Ka të atillë, thonë se

Avokati i njohur, Skënder Musa, thotë për Ekonomia Online, se personat fillimisht po arrestohen e më pastaj po fillon hetimi nga ana e Prokurorisë.

“Zakonisht tek ne është bërë një praktikë shumë e keqe dhe e dëmshme, fillimisht arrestohen personat pastaj fillohet me hetimin. Shpesh herë nuk arrestohen apo nuk akuzohen njerëzit adekuat, kur është në pyetje për personat zyrtar nuk arrestohen personat përgjegjës për atë vepër dhe zakonisht arrestohen njerëz të tjerë që s kanë të bëjnë fare me atë punë dhe këtu mendoj se është mungesa e hetimit profesional për shkak që është e pamundshme qe në gjithë këto afera korruptive që ekzistojnë të mos sigurohen prova, mirëpo në proceset gjyqësorë është pak më delikate se sa që e shohin mjetet e informimit apo qytetarët e rëndomtë”, tha ai.

Duke folur për këtë dukuri, Musa thotë se ka pasur raste kur mbi 90 për qind e rasteve kanë përfunduar me lirim. Thotë se në shumë raste akuzohen persona të pafajshëm e jo ata adekuat.

“Pothuajse të gjitha lirimet janë bërë për shkak që nuk ka pasur prova që dëshmojnë se është kryer vepër penale. 90 për qind e vendimeve që lirohen zyrtarë shtetëror është se ka mungesë të provave. Provat nuk vjetërsohen, vjetërsohet vepra penale mirëpo ka raste kur parashkruhet vepra penale për shkak se zgjaten vendimet jashtëzakonisht shumë mirëpo shumica e rasteve nuk parashkruhen ose parashkruhen si vlera të lehta penale shpesh raste akuzohen njerëz të pafajshëm që zgjat procesi 6 vite 7 vite dhe në fund ata nuk marrin kurrfarë kompensimi edhe pse e kanë humb punën dhe kanë dal n media si njerëz që e kanë keqpërdor pozitën zyrtare ose kanë dal për korrupsion sepse zakonisht veprat penale që janë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në opinion plotësohet si korrupsion”, u shpreh Musa për EO.

Ndërsa avokati tjetër, Tomë Gashi, fajin kryesor për mungesë të dënimeve për personat e profileve të lartë, i lë politikës. Ai përmend rastin konkret të quajtur “Pronto”, ku dëgjohen zyrtarë të lartë shtetëror teksa ndërhyrjnë në sistemin juridik.

“Po ne faktikisht kemi pa ndërhyrje në sistemin juridik në shumë raste por ajo që e ka dëmtuar më shumë këtë sistem, kemi parë ndërhyrje politike edhe në përzgjedhjen e udhëheqësve të Gjykata dhe Prokurorive në Kosovë. Besoj se kjo shumë lehtë mund të gjendet rasti “Pronto”, ku flitet tek zyrtarët partiak por edhe zyrtarë shtetëror për përzgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit të asaj kohe. Pra kemi parë raste se kujt do t’i hapet dhe kujt do t’i mbyllet një rast, pra ka pasur një ndikim tepër të vrazhdë. Faktikisht ne nuk kemi pas asnjë të dënuar të spektrit të lartë politik për afera korruptive”, thotë Gashi.

Tutje, Gashi thotë se praktikë tjetër është edhe nisja e hetimeve sa për sy e faqe, për të siç thotë, pastruar figurën e dikujt. Ai thotë se në raste të caktuara, hetuesit kanë punuar qëllimisht gabim që të ketë epilog lirues në fund.

“Arsye tjera edhe nëse dikush prej zyrtarëve të lartë ka qenë i akuzuar, kemi pasur  stërzgjatje të rasteve të cilat i dimë dhe rastet e tilla zakonisht kanë përfunduar me aktgjykime lirues apo eventualisht me dënime të kushtëzuara, gjë që këtyre vendimeve shumica e popullit nuk i ka besuar askush. Ka pasur edhe praktikë e tillë e shëmtuar kur për ta pastruar figurën e dikujt, janë ngritur aktakuza dhe të përgatitura shkel e shko dhe epilogu i tyre ka qenë lirues. Unë besoj se hetuesia në raste të caktuara qëllimisht kanë punuar gabimisht që të ketë epilog lirues në gjykatë”, u shpreh Gashi.

Të ngjashme