Avokati i Popullit kërkon veprime në mbrojtje të fëmijëve në rrugë

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 08:00 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ua ka tërhequr vërejtjen disa institucioneve publike, duke u kërkuar që të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të fëmijëve në rrugë.

Raportin me rekomandime ua ka adresuar ditë më parë Policisë së Kosovës, Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale (MPMS) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas raportit, institucionet shtetërore duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme që të parandalojnë, të mbrojnë dhe ndihmojnë çdo fëmijë që për shkaqe të ndryshme gjendet në rrugë apo është në situatë rreziku, si dhe të kërkojnë të ndërmarrin masa ndaj shkelësve të ligjit.

Në raport theksohet se një pjesë e fëmijëve në rrugë shihen vetëm ose në grupe, duke pastruar xhamat e automjeteve, duke shitur gjësende të imta, duke kërkuar lëmoshë apo nëpër kontejnerë. Përfshirja në këto aktivitete, sipas Avokatit të Popullit, ua dëmton fëmijëve zhvillimin dhe mirëqenien, i vë në rrezik të ekspozimit ndaj dhunës, ndaj abuzimit seksual, ndaj eksploatimit dhe ndaj trafikimit.

Të ngjashme