Ballkani Perëndimor, në fokus të BE-së gjatë kryesimit të Francës

Prishtinë | 01 Jan 2022 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Franca, nga 1 janari merr kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian që do të zgjasë deri në fund të muajit qershor.

Një varg prioritetesh ka caktuar Franca si tema, me të cilat do të merret në gjysmën e parë të këtij viti para se t’ia dorëzojë Çekisë kryesimin e radhës për pjesën e dytë.Pos temave që kanë të bëjnë me forcimin e autonomisë strategjike të BE-së, rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, reformën e zonës së Shengenit, zbatimin e qëllimeve për mbrojtjen e mjedisit, energjinë e tema tjera, Franca ka paralajmëruar se një kujdes të veçantë do t’ia kushtojë edhe Ballkanit Perëndimor.Gjatë Presidencës franceze të BE-së pritet edhe një konferencë kushtuar Ballkanit Perëndimor.

Këtë e kishte paralajmëruar kohë më parë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Burime diplomatike në BE kanë thënë se kjo konferencë nuk do të jetë ndonjë samit klasik BE-Ballkan, sepse një i tillë do të zhvillohet gjatë presidencës Çeke të BE-së në pjesën e dytë të vitit, por më shumë një “konferencë ku do të diskutohet disa problem specifike të rajonit”.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka paralajmërime se do të ketë “një angazhim të shtuar diplomatik” për të lëvizur gjërat pasi Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta”.Për këtë pritet që sidomos të punojnë së bashku Gjermania dhe Franca, e cila së shpejti do ta marrë përsipër kryesimin e radhës të BE-së.Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke folur më parë për kryesimin e radhës së BE-së, ka paralajmëruar se do të kujdeset në mënyrë të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, ka thënë Macron.Ai më tej ka theksuar se rajoni sot po kalon përmes tensioneve.

“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj, sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, të ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, të zgjidhim çështjet e pakicave dhe të luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, ka thënë Macron.

Ai ka shtuar se angazhimi politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor është agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës, sepse, siç është shprehur ai, “nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”.

“Kjo do të thotë se duhet të sqarojmë perspektivën evropiane, të investojmë në rajon, në unitetin e tij dhe të kemi një ambicie të përbashkët për dekadën që vjen”, ka thënë ai.Ky paralajmërim është kuptuar si shumë inkurajues nga diplomatët në BE, pasi Franca gjatë viteve të fundit ka qenë ndër shtetet skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, shkruan REL.

Kryesimi i BE-së nga ana e Francës përkon edhe me zgjedhjet që pritet të zhvillohen në këtë shtet pikërisht në pranverë të këtij viti.Por, zyrtarët nga Franca kanë thënë se zhvillimi i zgjedhjeve nacionale nuk do të jetë pengesë për Francën që të kryejë detyrat e saj edhe si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme