Çdo i katërti fëmijë në Kosovë pëson dhunë fizike

Prishtinë | 15 Tet 2016 | 14:27 | Nga

Dhuna fizike dhe psikike në institucionet edukativo-arsimore, mbetet një problem shqetësues për shoqërinë e Kosovës.

Dje në një nga shkollat e Rahovecit është rrahur në mënyrë brutale një vajzë e moshës 16 vjeçare nga vet xhaxhai i saj.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 567 incidente të ndryshme që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në Kosovë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 61.4% e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, kanë deklaruar se kishin pësuar nga dhuna psikologjike apo fizike nga familjaret gjatë muajit të fundit nga data e intervistimit.

Drejtoresha e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, Donjeta Kelmendi në një prononcim për zeri.info ka thënë se të dhënat tregojnë për shkallë të lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve. Ajo thotë se rreth 61% kanë pësuar dhunë.

“ Nga 61.4% e fëmijëve që kishin pësuar dhunë, 24% ose afërsisht 1 në çdo 4 fëmijë pohuan se kishin pësuar nga dhuna fizike. Të dhënat tregojnë për shkallë të lartë të dhunës të ushtruar ndaj fëmijëve. Modelet e disiplinimit në Kosovë shpeshherë orientohen drejt dhunës fizike dhe emocionale. Por dhuna ndaj fëmijëve është e pa pranueshme dhe është vepër penale e sanksionuar me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kelmendi.

Gjithashtu organizata KOMF të cilën e përfaqëson Donjeta, dënon sulmin ndaj 16 vjeçares nga xhaxhai i saj. KOMF gjithashtu ka kërkuar nga Qendra për Punë Sociale në këtë komunë që shërbimet e nevojshme t’i jepen viktimës.

“ KOMF dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj vajzës në Komunën e Rahovecit dhe kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë të ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi. Njëherit KOMF kërkon nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Rahovecit, që vajzës ti ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme për rehabilitim dhe integrim”, thotë Kelmendi.

Ndërkaq në lidhje me këtë rast Policia e Kosovës ka ndaluar personin e dyshuar meqë rast po zhvillohen hetimet.

Po ashtu sot në sheshet e kryeqytetit është mbajt një marsh kundër dhunës së 16 vjeçares nga Rahoveci. Ndër të tjera është paralajmëruar edhe një protestë për të Hënën./Zëri/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme