Certifikohen 100 ndërmarrës të rinj në Ferizaj, Dumoshi thotë se do ta ndihmojnë ekonominë vendëse

Ferizaj | 24 Sht 2020 | 14:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka certifikuar 100 ndërmarrës të rinj nga Komuna e Ferizajt, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, Dumoshi tha se Ferizaj ka potencial ekonomik dhe zhvillimi po shkon mbarë, teksa shtoi se hapja e bizneseve të reja do të ndikojë në zhvillim ekonomik.

“Trajnimi që e keni marrë sot është shumë i rëndësishëm për ju. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në programin e saj sidomos departamenti i Rinisë që objektiva kryesore janë të rinjtë. Ky trajnim që sot e keni marrë është shumë i rëndësishëm sepse ju do të filloni një hap të jetës suaj dhe me këtë trajnim do të na paraqitni planet e juaja të biznesit, të cilat MKRS-ja do t’iu mbështesim për ta filluar biznesin. Ju do të jeni ata që do t’i lironi edhe familjarët e juaj për ato të holla që juve iu nevojiten”.

“Ju do të reflektoni edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kjo është arsyeja që Qeveria e Kosovës ka marrë hapa të drejtë për mbështetjen e këtyre programeve të cilët janë shumë domethënëse e që reflektojnë përtej një trajnimi”, tha ajo

Para të rinjve ferizajas, Dumoshi tha se ky qytet ka një përparësi shumë të madhe, ku sipas saj në Ferizaj ka shumë organizata joqeveritare dhe këta të rinj e ngitin zërin në mënyra të ndryshme.

“Ne e kemi një rini shumë të mirë, unë për çdo ditë kam dëshirë me dal dhe të ju takoj andaj edhe dikasteri jonë ka shumë thirrje të cilët i mbështesin këtë pjesën e organizatave joqeveritare”.

“Unë po ju them me shumë siguri që në shumë komuna që shkoj, Komuna e Ferizajt ka një përparësi shumë të madhe sepse ka shumë organizata të cilat janë joqeveritare dhe këta të rinj e ngitni zërin në mënyra të ndryshme, qoftë duke i parandaluar dukuritë negative, siç janë duhani, droga etj, e deri te zërat e ndryshme ku bëni kritika për qeverinë lokale dhe qendrore, të cilët ne si politikanë duhet t’i shohim si shumë të mirëseardhura dhe çdo kritikë të bëhet mësim në jetë”, tha Dumoshi.

Lajm të mirë dha edhe për sportdashësit. Dumoshi tha se shumë shpejt do të fillojnë projekte që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë, raporton EO.

“MKRS deri më tani ka mbështetur me 820 mijë shumë organizata të cilat kanë aplikuar. Ne do ta fillojmë ndërtimin e stadiumit të ri në këtë qytet, ndërsa stadiumi i vjetër do të rindërtohet. Ndërtimi i stadiumit të ri do të jetë i kategorisë së katërt, sipas standardëve të UEFA-s dhe FIFA-s”.

“Po e jap këtë lajm sepse këto fusha sportive janë direkt të cilat do të jeni ju që do t’i shfrytëzoni. Do ta bëjmë edhe pallatin e Kulturës dhe me projekte jemi mirë në Ferizaj, kemi fusha tenisi. Do ta restaurojmë edhe teatrin e qytetit”, tha Dumoshi, teksa shtoi se këto projekte po bëhen që përfitues të jenë rinia.

Të ngjashme