Dezinfektohen për herë të dytë rrugët dhe hapësirat publike në Prishtinë, mirëpritet nga qytetarët

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 10:39 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka nisur me aksionin e dezinfektimit të rrugëve dhe hapësirave publike, për herë të dytë në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Pos rrugëve, dezinfektimi po bëhet edhe në trotuare dhe në kabinat e stacioneve të autobusëve urban.

Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, ka thënë se të martën ka filluar për herë të dytë dezinfektimi i rrugëve.

Sipas saj, aksioni do realizohet në dy mënyra, duke bërë larjen e thellë të rrugëve me cisterna, ku ka filluar me rrugët parësore dhe vazhdojnë me kategoritë tjera.

“Është hera e dytë që po fillojmë me dezinfektimin e rrugëve. Sot fillojmë me rrugët kryesore në kryeqytet, që ne i kemi të ndara si rrugë të kategorisë A dhe pastaj në ditët në vazhdim edhe me rrugët tjera. Varet pak edhe sa ka trafik, sa ka vetura të parkuara në rrugë dhe kjo e përcakton sa zgjat, por presim që brenda javësh ta përfundojmë komplet”.

“Këtë herë kemi edhe dezinfektim të hapësirave publike, shportave, ulëse përmes pompave të krahut që kanë për bazë edhe alkool, që nuk ka qenë edhe herën e parë tash po dhe shpresojmë që sa më shumë ta ndalim përhapjen e këtij virusi”, ka thënë ajo.

Teksa ka folur për këtë aksion, Braha ka thënë se Ndërmarrja Publike Banesore ka bërë dezinfektimin e objekteve që kanë marrëveshje me ta, pastaj edhe me objektet tjera.

“Ndërmarrja Publike Banesore, ka bërë dezinfektimin e objekteve, fillimisht kanë filluar me ato që kanë marrëveshje të mirëmbajtjes me ta, pastaj edhe me objektet tjera të cilat nuk kanë mirëmbajtje nga ndonjë  kompani tjetër edhe ata duke vazhduar me punën e tyre”, ka thënë ajo.

E pronari i kompanisë “Niti N”, e kontraktuar për dezinfektimin e rrugëve, për Ekonomia Online ka thënë se ky përbërës është me shampon, ndërsa për ulëse është më i veçantë.

“Me iniciativën e komunës së Prishtinës ne kemi filluar dezinfektimin e rrugëve, trotuaret dhe ulëset. Ky dezinfektues, sa i përket rrugëve dhe trotuareve është dezinfektues me shampon, ndërsa ulëset dhe semaforët janë me dezinfektues për ambiente të hapura. Sot qenka një qarkullim më i vetura, kështu që apeloj tek qytetarëve mos të dalin pa arsye”, ka thënë ai. 

Kjo iniciativë e komunës së Prishtinës, po mirëpritet nga qytetarët. Ata, për Ekonomia Online, thanë se kjo është një ndër punët më të mira që po bën komuna.

Nexhat Bala qytetar nga Prishtina, tha se kjo është iniciativë e mirë por kërkon që të vazhdojë edhe ditëve të tjera.  

“Kjo iniciativë është shumë e qëlluar presim që të vazhdojë edhe në të ardhmën, e posaçërisht në kohë të pandemisë por edhe gjatë ditëve të veres”, tha ai.

Fadil Cana nga Prishtina, ka falënderuar kryetarin e Prishtinës, duke thënë se çdo iniciativë të tij po e mirëpret.

 “Jo vetëm kjo iniciativë e ditës së sotme por edhe ato tjera që i ka ndërmarrë kryetari Ahmeti, unë mundem vetëm me uruar dhe me falënderuar për të gjitha iniciativat e qëlluara që i ka ndërmarrë deri më tani”, tha ai.

Fotografia e Shpend Ahmeti
Fotografia e Shpend Ahmeti
Fotografia e Shpend Ahmeti

Të ngjashme