Dhurohet gjak për nder të 2-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 17:23 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e 2-vjetorit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, u mbajtën një sërë aktivitetesh, në mesin e tyre edhe një aksion i dhurimit të gjakut.

Duke dhuruar gjak, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se dita e sotme ishte një ditë e dhembjes dhe e pikëllimit, raporton Ekonomia Online.

Kurti komentoi edhe hetimet e rastit Dehari, duke thënë se ky proces është i dëmtuar.

“Dita e sotme është ditë e dhembjes dhe pikëllimit për shkak që kemi humbur një aktivist të papapërsëritshëm. Ai ka qenë student shembullor, ka qenë dhurues vullnetar i gjakut dhe ne sot me rastin e 2-vjetorit të vrasjes së tij kemi organizuar këtë iniciativë për dhurimin e gjakut”.

Sipas Kurtit, krimi ndaj Deharit është i pafalshëm.

“Astrit Dehari është emri i padrejtësisë në Kosovë dhe këmbëngulja jonë për drejtësi për Astritin është këmbëngulje për një shtet të drejtë dhe të lirë.Krimi që është bërë në Astrit Deharin është i pafalshëm dhe i pamatshëm. Procesi për hetimin e rastit të Astritit është dëmtu që nga fillimi i saj. Krimi ka ndodhur në vendin më të sigurt të shtetit”.

Xhelal Sveçla në një prononcim për Ekonomia Online tha se dëshmitë të cilat ata i posedojnë dhe deklaratat e mjekëve të ndryshëm thonë se Astriti u vra e jo u vetëvra.

“Ne nuk do të ndalemi derisa të del e vërteta e plotë për këtë rast dhe të gjithë fajtorët të ndëshkohen. Dëshmitë të cilat ne i disponojmë dhe deklaratat e mjekëve të ndryshëm patologë na thonë se Astriti është vra”.

Sipas Sveçlës, fajtorët kryesorë për vdekjen e Astritit janë ata që e kanë arrestuar.

“Organet e drejtësisë kanë bërë mu të kundërtën se çfarë është dashur të bëhet për zbardhjen e rastit, që nga fillimi me deklaratat e tyre kontradiktore, me qëllimin e vetëm që kjo ngjarje të mos zbardhet, asnjë i ndëshkuar nga ky rast deri tash, fajtorët kryesorë për vdekjen e Astritit janë ata që e kanë arrestuar Astritin”.

Dhurues i gjakut ishte edhe deputeti Shemsi Syla, i cili duke e kujtuar Deharin si një aktivist shumë të devotshëm, kërkoi drejtësi për zbardhjen e rastit të vdekjes së tij.

“Sot ishte një ditë sa krenare por edhe e dhimbshme, pasi që ne sot po përkujtojmë dyvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, një prej aktivistëve më të devotshëm që kishte Lëvizja Vetëvendosje. E vërteta e ngjarjes nuk është zbardhur qe dy vite, dhe kjo është ajo që na brengos më së shumti. Këtë po e bën pushteti dhe arsyet i din vetëm ai”.

Të ngjashme