Familja fajëson shoferin e autoambulancës për vdekjen e familjares së tyre

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 10:09 | Nga

Familja Ramadani nga Gjilani po pretendon se nëna e tyre, e cila vdiq ditë më parë, u bart me shumë vonesë nga autoambulanca për në spitalin e qytetit, raporton KTV.

Familjarët thonë se shoferi i autoambulancës shfrytëzoi një rrugë dytësore për të transportuar pacientin, e në këtë rast shfrytëzoi edhe mundësinë që derisa e barte të sëmurën t’ua uronte të afërmve festën e Bajramit. Akuzat i mohon mjeku kujdestar, i cili ia ofroi ndihmën pacientes mëngjesin e së premtes kur u transportua.

E thirrur për të ofruar shërbimin emergjent mjekësor, autoambulanca në Gjilan nuk e kreu punën e saj si duhet, ankohet familja Ramadani.

Të premten në mëngjes, familja e thirri shërbimin emergjent për të bartur nënën e tyre, së cilës iu përkeqësua gjendja shëndetësore.

Por Agim Ramadani po pretendon se nëna e tij tashmë e ndjerë u transportua me vonesë nga autoambulanca për në Spitalin e Gjilanit.

Ishin nisur së bashku me autoambulancën në drejtim të spitalit të qytetit, por përveç se kishte arritur para ambulancës, familja kishte pritur edhe rreth 15 min para spitalit.

Kjo është rruga, të cilën, sipas familjarëve, e përshkoi autoambulanca për të transportuar pacienten në spital, e cila sipas familjarëve shkaktoi vonesa.

Ramadani thotë se në autoambulancën e cila e transportoi nënën e tij ishte edhe mbesa e tij, e cila iu kishte treguar se si autoambulanca e devijoi rrugën kryesore dhe shoferi, gjatë rrugës, bëri një ndalesë.

E derisa Ramadani ka paralajmëruar se rastin do ta denoncojë në polici, mjeku kujdestar, i cili ia ofroi ndihmën nënës së Ramadanit, mohon se autoambulanca u ndal rrugës. Por nuk e mohon faktin se u shfrytëzua një rrugë alternative për të arritur te spitali.

Ndërsa në Spitalin e Gjilanit, përkatësisht në Klinikën e Neurologjisë, mjekët nuk kanë dhënë informacione për gjendjen, në të cilën është pranuar pacientja. Ata kanë thënë se u duhet më shumë kohë për të shikuar historinë e pacientes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme