Gazetaret kritikojnë institucionet për mosbashkëpunim, tregojnë sfidat gjatë raportimit

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 13:50 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra për Zhvillimin e Bashkësive ka diskutuar për rolin e grave në medie, në të cilën u prezantua deklarata e përbashkët e grave në gazetari, raporton Ekonomia Online.

Në këtë deklaratë të përbashkët janë shfaqur shqetësimet e grave gazetare dhe vështirësitë gjatë raportimit.

Ata kanë kritikuar institucionet për mosbashkëpunim për të dhënë informata në lidhje me çështje të caktuara.

Milica  Rakiç nga Qendra për Zhvillimin e Bashkësive tha se institucionet po i zgjedhin gazetarët dhe mediet për kënd përgjigjen dhe për kë jo.

“Ekzistojnë disa masa që edhe donatorët ndërkombëtarë nuk mund të ndihmojnë, shpesh është e vështirë për të ardhur tek informatat e vlefshme. Një prej problemeve më të mëdha ka të bëjë në qasjen në bashkëbisedues dhe informata, është nevoja që institucionet të përgjigjen në informata dhe të jenë më të përgjegjshme. Është vërejtur që i zgjedhin gazetarët dhe mediet për kënd përgjigjen dhe për kë jo, kjo vërehet posaçërisht tek politikanët serb. Gazetarët shqiptarë kanë raportuar  se ekziston ndjenja e pasigurisë në veri të Kosovës,  kjo është vërejtur edhe tek gazetarët serb”, tha ajo, raporton EO.

Gazetarja Una Hajdari tha se gratë përballen me sfida dhe se shumë pak prej tyre kanë rol udhëheqës.

Sipas saj, ato janë të pranishme në emisione argëtuese por jo në debate politike të ashpra.

“Gratë gazetare fokusi bie në to vetëm në ditën e grave pa marrë parasysh se ky profesion dominohet nga meshkujt, kjo e bënë këtë deklaratë të posaçme sidomos pse thekson shqetësimet që hasin gratë në raportim në Kosovë. Disa nga mediet kryesore në vendin tonë udhëhiqen nga gratë, por ka mungesë të grave që kanë rol udhëheqës në politikë etj, gratë janë shumicën e herës në emisione argëtuese ndërsa nëpër debatet e ashpra politike ende nuk bëjnë gratë” , tha ajo, raporton EO.

Agnela Čup nga Qendra për Zhvillimin e Bashkësive kritikoi politikanët për qasjen dhe gjuhën që përdorin.

Ajo tha se në Kuvend mund të dëgjojmë  atë që nuk duhet të dëgjohet.

Ajo tha se përmes kësaj deklarate kanë dashur të bëjnë presion tel institucionet për qasje në dokumente publike.

“ Kur e shikoj këtë deklaratë them se kjo do të duhej të shkojë në Kuvendin e Kosovës. Politikanët mendojnë që mund të thonë çfarë të duan dhe si të duan në pjesën më të madhe, ne e kemi dhënë këtë vërejtje, ne që punojmë në medie e dimë se edhe në medie mund të vërehet kush qëndron prapa medieve dhe kush i financon ato, unë dua të besoj që ende në Kosovë ka medie të pavarura. Kemi dashur të ushtrojmë trysni në institucione, qasje në informata publike që janë të rëndësishme për të raportuar në mënyrë reale dhe profesionale”, tha ajo, raporton EO.

Ajo kritikoi mungesën e përkthimit në Kuvendin e Kosovës në gjuhën serbe.

Deklarata e përbashkët e 17 gazetarëve:

“Me përgjegjësi të plotë dhe profesionale dhe duke pasur parasysh rrethanat e punës në mediet në Kosovë dhe pozitën e grave në media.

Të vetëdijshme se në çfarë mase mungesa e llogaridhënies së institucioneve dhe përfaqësuesve politikë e vështirëson dhe kufizon cilësinë e raportimit tonë.

Të shqetësuara për shkak të aspekteve të ndryshme të rrezikimit të sigurisë, qoftë për shkak të kërcënimeve të hapura, shantazheve dhe sulmeve të individëve qoftë për shkak të marrëdhënieve të ndjeshme ndëretnike në pjesë e ndryshme të Kosovës.

Të vetëdijshme se përkundër përfaqësimit të shkëlqyeshëm të grave në gazetari, megjithatë ekziston perceptimi për mosbalancimin në përfaqësimin e grave në pozitat udhëheqëse në media.

Të vetëdijshme se ekzistojnë përfaqësuesit politikë të cilët në mënyra të ndryshme interpretojnë temat aktuale, duke përfshirë edhe ato më të ndjeshmet, me ç’rast ndikojnë negativisht në publik duke nxitur përçarje në mes të bashkësive të ndryshme etnike dhe kundër fakteve.

Të gatshme në solidaritet”.

Kjo deklaratë u hartua në kuadër të aktiviteteve të mbështetura nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të implementuara nga organizata joqeveritare Qendra për Zhvillimin e Komuniteteve.

Të ngjashme