Gjithçka që ndodhi në protestën kundër reformës arsimore në Kamenicë

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Prindërit e nxënësve që nuk po vijojnë mësimin, po vazhdojnë ta kundërshtojnë reformën në Komunën e Kamenicës. Ata sot protestuan duke bllokuar rrugët dhe hyrjen e komunës për një kohë, teksa nga niveli lokal aty nuk morën përgjigje.

Në vend se nxënësit të ishin në orët e mësimit, prindërit i nxorën ata në një protestë që sipas tyre ishte spontane, për të kundërshtuar reformën e arsimit, në Komunën e Kamenicës.

Duke mos pas leje për këtë protestë, prindërit e revoltuar me këtë reformë bllokuan rrugë, çka bëri që policia të reagoi. Madje, kishte të tillë që u arrestuan nga policia, por që u liruan nga presioni i protestuesve. Policia, në konfirmimin e saj, nuk tha se ka të shoqëruar në polici.

Protesta u zhvendos pranë objektit të komunës, aty prindërit përmes fëmijëve të tyre, bllokuan hyrjen e komunës. Thirrjes për takim, nuk iu përgjigj askush nga iniciatorët e reformës.

Prindërit thonë se reforma po bëhet pa pëlqimin e tyre, teksa e fajësojnë komunën që 546 nxënës janë jashtë procesit mësimor.

“Ne po e kundërshtojmë reformën pasi ajo është bërë pa pëlqimin e komunitetit. Në çdo mbledhje që ka mbajtur kryetari për këtë reformë qysh në hapat e parë ai ka pasur rezistencë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Blerim Shabani

“Besoj se do të ketë protesta edhe më të mëdha. Shpresojmë të ketë intervenime nga institucionet pasi është bërë padrejtësi e madhe, sidomos me Busavatën”, deklaroi Selim Maliqi.

Pas kësaj proteste ka reaguar në Facebook edhe kryetari Qëndron Kastrati.

“E drejta për protestë është e drejtë themeltare për komunikim me shtetin. Krahas kësaj ne inkurajojmë secilin qytetar që ta shfrytëzojë këtë të drejtë për secilën çështje që mendon ndryshe nga vendimet e institucioneve. Gjithsesi kjo duhet të bëhet duke respektuar rregullat dhe normat e përgjithshme.

I papranueshëm është keqpërdorimi i fëmijëve në protestë. Është absolutisht e ndaluar manipulimi me fëmijë dhe përdorimi i tyre në protesta, aq më keq kur këtë e bëjnë grupe të caktuara për interesa politike e personale.

Nxënësit nuk janë për me mbrojtë kufirin. Nxënësit nuk janë për me realizu interesa përmes përdorimit të tyre. Fëmijët nuk janë për me nxjerrë foto të dhimbshme e me kriju situata të ndjeshme. Fëmijët nuk janë për asnjë lloj përdorimi nga të tjerët.

E kemi obligim që të punojmë të gjithë ne të tjerët që secili fëmijë të ketë shkollim e jetë cilësore. Riorganizimi është për ta. Është i domosdoshëm për ta”, ka shkruar Kastrati.

Të ngjashme